Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka emëruar Ushtrues Detyre të Kryeshefit të Inspektorait Policor të Kosovës, Exhevit Zuken, udheheqës Divizioni në IPK. Emërimi erdhi pas shkarkimit nga detyra e Kryeshefes së IPK-së, Miradije Kelmendit.
Ky emërim është bërë në kundërshtim me Ligjin për IPK-në, i cili përcakton qartë në nenin 15, paragrafin 4 se “Në rastet e përfundimit të mandatit, shkarkimit apo suspendimit të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, Ministri menjëherë cakton njërin nga drejtorët e departamenteve të IPK-së, si ushtrues detyre të Kryeshefit Ekzekutiv deri në përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së”.
Këtë shkelje të ligjit për emërimin e UD duke anashkaluar drejtorët e departmenteve e ka arsyetuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një studio televizive, duke thënë se të gjithë drejtorët në IPK janë nën hetime.
Burime të Gazetës Sinjali tregojnë që ndaj asnjë drejtori nuk është duke u zhvilluar ndonjë procedurë hetimore, por ministri në detyrë, Sveçla ka kërkuar nga UD i emëruar, që të fillohen procedura hetimore ndaj të gjithë drejtorëve në IPK. Me gjasë kjo kërkesë është tendencë për të mbuluar shkeljen e Ligjit nga ana e ministrit në detyrë./Gazeta Sinjali/