image Sveçla: Do të kërkojmë ekstradimin e Radoiçiqit dhe jo vetëm

Politikë

Sveçla: Do të kërkojmë ekstradimin e Radoiçiqit dhe jo vetëm

news image

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

Më 24 shtator, grupe të armatosura në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Ministri Sveçla thotë se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Absolutisht nuk është e vërtetë. Millan Radoiçiq e ka pranuar një fakt, pasi është dëshmuar pjesëmarrja e tij në këtë sulm terrorist. Por, të gjitha faktet tregojnë se Millan Radoiçiq nuk ka vepruar kokë më vete, nuk ka punuar vetë. Ai ka qenë në vazhdimësi i mbështetur nga [presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiq, nga Qeveria e Serbisë dhe nga të gjitha instrumentet që ai shtet ka”, u shpreh ai.

Sveçla shtoi se nga Serbia do të kërkojnë ekstradimin e Radoiçiqit dhe jo vetëm, por edhe ekstradimin e të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e këtij aksioni terrorist.

“Ne do të vazhdojmë ta hetojmë këtë sulm në detaje, t’i identifikojmë të gjithë terroristët që kanë marrë pjesë në këtë sulm, ta hetojmë gjithë hierarkinë e dy organizatave që ne tashmë i kemi shpallur terroriste – Severna Brigada dhe Civilna Zashtita [Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile] – por edhe t’i dokumentojmë lidhjet e drejtpërdrejta me Qeverinë e Serbisë.

Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë nga Serbia – patjetër përmes partnerëve tanë – që të gjithë të plagosurit që kanë arritur të ikin nga Kosova, si dhe ata që kanë ikur pa dëmtime, t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës, duke qenë se vetëm kështu, realisht, mund të sjellim një normalizim të situatës në Kosovë.”, shtoi Sveçla për REL.

Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Sveçla flet edhe për përfshirjen e dyshuar ruse, si dhe për rreziqet e sigurisë që vazhdojnë t’i kanosen Kosovës.

/GazetaSinjali/