image Supremja ia vërteton dënimin me burgim të përjetshëm policit që vrau punëtorin në Suharekë

Drejtësi

Supremja ia vërteton dënimin me burgim të përjetshëm policit që vrau punëtorin në Suharekë

news image

Kolegji i Gjykatës Supreme, ka marrë vendim për çështjen penale ndaj të akuzuarit Shefki Spahiu nga Suhareka, për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “manipulim me provat”, duke vendosur përkitazi me ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Në seancën e kolegjit të mbajtur më 20 maj 2021, me shumicë të votave, kolegji i kësaj gjykate aprovoi pjesërisht ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Sh.S., vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale “vrasje e rëndë”, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor, ashtu që në veprimet e të akuzuarit kjo gjykatë gjen se përmbushen elementet e veprës penale të “vrasjes së rëndë”. Në pjesën tjetër aktgjykimi mbetet i pandryshuar.

Në seancën publike të kolegjit, të mbajtur me 20 maj, kanë marrë pjesë i akuzuari Shefki Spahiu, mbrojtësi i tij, avokati E.K., përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokat A.R., të dëmtuarit H.A., e A.A.

Prokurori i Shtetit nuk mori pjesë në këtë seancë, por me parashtresë, propozoi që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimet të vërtetohen.

Kolegji i Gjykatës Supreme, përmes aktgjykimit vlerësoi rrethanat rënduese, të cilat i kanë marrë në konsideratë gjykatat më të ulëta, por theksoi posaçërisht rrethanat e kryerjes së veprës.

“Vepra penale është kryer me shkallën e lartë të dashjes. I akuzuari ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe se vepra është kryer me armë zyrtare, rrethanë e cila vlerësohet si posaçërisht rënduese nga fakti se vetë pozita e të akuzuarit ka shkaktuar pasoja jo vetëm ndaj viktimës, por edhe te besimi në institucionet e sigurisë dhe të qytetarëve në përgjithësi, pastaj rrethanat nën të cilat është kryer vepra pa ndonjë motiv, viktima ka qenë person i pambrojtur dhe nuk ka pasur mundësi të mbrohet, sjellja e tij pas kryerjes së veprës penale, duke tentuar fshehjen e krimit dhe asgjësimit të provave, faktin se viktima ka qenë e moshës së re, i martuar dhe prind i fëmijëve të mitur”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Kësisoj, “në rrethanat e sipër-cekura dhe në mungesë të rrethanave lehtësuese”, Kolegji i Gjykatës Supreme ka vlerësuar se “nuk do të mund të justifikojë shqiptimin e ndonjë dënimi më të butë se ai që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë”./Gazeta Sinjali/