Policia në Toronto po heton pasi një e shtënë me armë zjarri është regjistruar në drejtim të konsullatës amerikane në këtë qytet – rasti i dytë i tillë këtë vit.
Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, një zyrtar policor i vendosur jashtë ndërtesës së konsullatës ka dëgjuar zhurmën e një të shtëne të vetme dhe ka vërejtur një veturë të bardhë pa targa duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia ka nisur për pak kohë një ndjekje me shpejtësi të lartë, por e ka ndërprerë atë për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Nuk raportohet për persona të lënduar nga incidenti. Ende nuk dihet se sa persona kanë qenë të përfshirë në sulm.
Të shtënat e së hënës vijnë pasi policia e Torontos arrestoi tre persona për një incident të ngjashëm në muajin mars, për të cilin hetuesit kanë thënë se lidhet me një rrjet më të gjerë të sulmeve me pagesë.
Policia e Torontos ka bërë të ditur se po e heton rastin e fundit në bashkëpunim me Policinë Mbretërore Kanadeze (RCMP) dhe partnerë ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, raporton BBC, transmeton Sinjali.
Mbikëqyrësi i RCMP-së, Jonathan Ko, e ka cilësuar rastin si “një tjetër incident shqetësues”, ndërsa kryetarja e Torontos, Olivia Chow, e ka quajtur sulmin “të guximshëm”.
“Dua t’i them personit ose personave përgjegjës: Ne do t’ju gjejmë”, ka shtuar Chow.
Sulmi me armë ka ndodhur rreth orës 04:45 sipas kohës lokale. Oficerët kanë gjetur një gëzhojë në vendin e ngjarjes, si dhe dëmtime në fasadën e ndërtesës.
Të paktën dy persona kanë qenë brenda konsullatës në momentin e incidentit, ka deklaruar zëvendësdrejtori i Policisë së Torontos, Frank Barredo, duke shtuar se ndërtesa është “shumë e fortifikuar” dhe se personat brenda me shumë gjasë nuk e kanë dëgjuar të shtënën.
Ai ka thënë se hetimi vazhdon dhe se të gjitha njësitë policore në qytet janë udhëzuar të jenë në kërkim të të dyshuarve.
“Ne do t’i sjellim para drejtësisë personat përgjegjës”, ka deklaruar Barredo.
Në një postim në platformën X, Konsullata amerikane në Toronto ka falënderuar policinë për reagimin e saj.
Policia ka qenë e vendosur jashtë konsullatës që nga muaji mars, kur jashtë ndërtesës u qëllua me armë zjarri në një incident që atëherë u cilësua nga autoritetet si “incident i sigurisë kombëtare”. Asnjë person nuk u lëndua në atë sulm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!