image Sulmi terrorist në Vjenë: Shqiptarët bëjnë homazhe për viktimat

Evropë

Sulmi terrorist në Vjenë: Shqiptarët bëjnë homazhe për viktimat

news image

Një grup shqiptarësh i përbërë prej afro 50 vetash kanë zhvilluar homazhe me lule dhe qirinj në duar te vendet ku gjetën vdekjen katër persona të pafajshëm nga sulmi terrorist i ndodhur gjatë mbrëmjes së dy nëntorit në Vjenë të Austrisë.

Njëri prej viktimave ishte edhe djaloshi 21 vjeçar nga Velesha e Strugës.

Ndërsa, në iniciativën e Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri, pjesë e këtij homazhi ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Rolando Bimo, klerikët fetarë: Imami Ademsafi Bajrami, prifti katolik Don Nikson Shabani, përfaqësues të shoqatave shqiptare, intelektual të shquar dhe veprimtar të njohur në Austri.

Të gjithë së bashku vendosën kurora, lule dhe ndezën qirinj në katër vendet e ndryshme ku atentatorët vranë dhe plagosën persona të pafajshëm në rrugë.

Qirinj dhe lule u ndezën edhe për të riun shqiptar nga Velesha e Strugës.

Ata të bashkuar, dënuan këtë akt makabër duke konsideruar se sulmet e tilla nuk përfaqësojnë asnjë etni, fe dhe as komb.

Homazhi i shqiptarëve nxiti kureshtjen e shumë mediave austriake dhe ndërkombëtare të cilat përcollën çdo hap të kësaj iniciative. /Gazeta Sinjali/