Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar duke thënë se skenare të tilla sikur ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë nuk përjashtohen dhe se mund të ndodhin sërish.
“Ky skenar nuk përjashtohet se do të përsëritet. Fatmirësisht ata u ndanë jashtëzakonisht keq pas reagimit jashtëzakonisht profesional të policisë së Kosovës dhe kjo i jep shpresën se ata janë dëmtuar aq sa mos të provojnë sërish, por Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së tij nuk i zihet besë asesi”, ka deklaruar Sveçla.
Duke folur për synimet e grupit terrorist, Sveçla vlerësoi se qëllimi i grupit ishte hapja e një korridori në dy komuna, atë të Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.
“Ai jo vetëm se shpërtoi dhjetra e dhjetra jetë të kolegëve të tij por shpëtoi Kosovën nga një skenar shumë ogurzi. Ne kemi shumë informata që zbardhin skenarin e Serbisë në 24 shtator, kishte diku deri në 90 terrorist të cilët u futën me armatime të rënda në republikën e Kosovës dhe planifikuan të realizojnë një korridor mes republikës së Serbisë dhe dy komunave, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit”, Sveçla në një intervistë për “Syri TV”.