Mjekët kujdestarë të Emergjencës në Spitalin e Ferizajt mbrëmë janë përballur me një sulm nga familjari i një pacienti që shkoi të kërkoi ndihmë mjekësore. Sinjali raportoi se i dyshuari Hyzri Haziri është arrestuar dhe më pas është dërguar në mbajtje, si i dyshuar për këtë rast. Pas kësaj ngjarje ka reaguar nënkryetari i Sindikatës së punëtorëve në QKUK, Enlirat Duraku.
Përmes një njoftimi në rrjetin e tij social në Facebook, Duraku ka akuzuar SHSKUK-në për përkrahje sepse deri më tani nuk ka bërë asnjë reagim.
“A po i përkrah sulmet fizike ndaj punëtorëve shëndetësor SHSKUK me mosreagimin e saj !?” ka shkruar Duraku.
Sipas nënkryetarit, SHSKUK as kësaj radhe se ka ndërmend as ta dënojë sulmin, siç thotë ai “sa për sy e faqe”.
“Duke shprehur keqardhje të sinqertë për sulmin fizik ndaj dy mjekëve në Ferizaj, duket se SHSKUK as kësaj radhe nuk e ka në plan që sulmet e punonjësve të saj t’i dënoj, qoftë sa për syfaqësi si zakonisht.” ka shkaur Duraku në Facebook.
Duraku ka thënë se ky sulm ka ardhur si pasojë edhe i mosveprimit të SHSKUKS-së pavarësisht paralajmërimeve që janë bërë dhe kjo ka krijuar pasiguri në punë për profesionistët shëndetësor.
“Ky sulm i djeshëm edhe ndaj mjekëve është rezultat i mosveprimit edhe pas paralajmërimit të Sindikata e Punëtorëve Shëndetsorë të QKUK-së që mosreagimi ndaj akteve të tilla qyqare krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen, duke krijuar mëtej pasiguri në punë për profesionistë shëndetësor.” ka shkruar Duraku.