image Sulmi brutal ndaj qytetarit në Prizren/ Gjykata merr vendim për njërin nga të dyshuarit, 2 të tjerë në arrati

Drejtësi

Sulmi brutal ndaj qytetarit në Prizren/ Gjykata merr vendim për njërin nga të dyshuarit, 2 të tjerë në arrati

news image

Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditësh ndaj L.U., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale sulm dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

L.U dhe dy persona të tjerë të cilët gjenden në arrati dyshohen për sulmin brutal ndaj qytetarit nga Suhareka. Sinjali publikoi pamjet ekskluzive të këtij sulmi, që ndodhi në orët e para të së shtunës në Prizren.

Sipas gjykatës, “më datë 22 janar 2022, në orët e mesnatë, në Prizren, në bashkëveprim edhe me dy të pandehur të tjerë (të cilët aktualisht janë në arrati), me dashje përdorin forcën ndaj të dëmtuarit L.M., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje paraprake që kishin në mes veti, derisa i dëmtuari L.M., ishte i ndalur me automjetin e tij, të pandehurit fillimisht tentojnë ta nxjerrin të dëmtuarin nga vetura, e më pas i pandehuri L.U., me një shkop druri e godet te dëmtuarin L.M., në kokë dhe trup e me pas edhe dy të pandehurit tjerë e godasin me mjete te forta-shkop druri të dëmtuarin L.M., ne pjesë të ndryshme të trupit por që nuk i shkaktojnë dëmtime të dukshme trupore.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se atë natë, i dyshuari L.U., dëmton pasurinë e viktimës L.M., “në atë mënyrë që pas përfundimit të përleshjes fizike mes tyre, në shenjë revolte me mjete të forta e godasin automjetin duke ia thyer xhamat, me ç’ rast me këtë veprim të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/