Një sulm i organizuar terrorist në Burkina Faso ka lënë të vrarë 35 civilë shumica prej tyre gra, pas një sulmi të një pike kontrolle në pjesën veriore te shtetit, në Soum.
Përleshja midis forcave ushtarake të Burkina Faso dhe militantëve terrorist zgjati disa orë rresht, në afërsi të qytetit Arbidua pranë kufirit me Malin. Në një komunikatë për shtyp krerët e ushtrisë raportuan se nga ky sulm mbetën të vrarë 7 persona të forcave të sigurisë si dhe 80 militantë terrorist.
Në mesin e 35 civilëve 34 prej tyre ishin gra dhe në nderim të tyre presidenti i vendit, Roch March Kabore, shpalli dy ditë zi kombëtare. Nuk është hera e parë që Burkina Faso përballet me akte të tilla pasi edhe në të kaluarën ka vuajtur shumë nga ekstremizmi islamik që është parë edhe në vendin fqinj Mali. Kujtojmë që në Mali ushtria franceze u detyrua të ndërhyjë për t’i larguar nga pushteti grupet terroriste në disa qytete.
Sulmet e shpeshta nga terroristët në këtë vende, i ka detyruar banorët e saj që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të drejtohen drejt vendeve evropiane, të cilat duken më të sigurta.