image Studentët e UP-së tani mund të mësojnë edhe italisht

Kosovë

Kurs/ Studentët e UP-së tani mund të mësojnë edhe italisht

news image

Studentët e Universitet të Prishtinës, nga sot do të kenë mundësi të ndjekin kurse të reja të gjuhës italiane, ku për lehtësimin gjatë mësimit do të shfaqen edhe disa filma italian që do të jenë jo vetëm entuziazmues por edhe interesant.

Hapja e kurseve të reja italiane është bërë në Fakultetin Filologjik, ku aktualisht të regjistruar janë 56 studentë.  Me këtë rast u tha se ka vite që janë duke punuar në projektin për ta kthyer italishten në fronin e saj të dikurshëm brenda Filologjikut dhe UP-së.

Ambasador i Italisë në Kosovë, Piero Cristofore Sardi tha se të dy shteteve na konvenon marrëdhënia e mirë për shkëmbimin e arsimit, kulturës dhe shumë aktiviteteve të tjera.

“Tani ne jemi më të angazhuar dhe të konsoliduar dhe shpresojmë të mos kufizohemi vetëm në ketë ngjarje por edhe prej perspektivës  së karrierës të studioni italisht për mundësit posuniversitare ose të punës. Pasi që jemi edhe si vende afër  dhe në kuadër të perspektives evropiane, do të ishte e rëndësishme shkëmbimi i marrëdhënieve dhe mundësive…… Ne po e shfrytëzojmë ketë rast jo vetëm për inaugurimin e kurseve të  reja të gjuhës në universitete, por edhe për hapjen e sezones së kulturës italine që do të mbahen gjatë vjeshtës dhe dimrit. Po ashtu, për lehtësimin gjatë mësimit të italishtes do të shfaqim disa filma italian që do të jenë jo vetëm entuziazmues por edhe interesant”, tha Sardi.

Profesoresha e Fakultetit të Filologjisë, Majlinda Bregasi tha se në muajin nëntor po bëhet hapja e kurseve të gjuhës italiane për këtë vit,  të cilat organizohen nga instituti Italian i kulturës në Tiranë.

“Letërsia shqipe, gazetaria, Rilindja Shqiptare ka lindur në Itali. Arbëreshet të cilët Pirandelo i ka quajtur një aksident të mrekullueshëm që vazhdojnë akoma pas 600 vjetësh të flasin gjuhën e tyre. Pra lidhjet tona me Italinë janë të hershme që nga antikiteti dhe deri më sot, kemi bërë shumë për të dy vendet, edhe shqiptarët për Italinë por edhe italianët për shqiptarët, pra kemi detyrë që t’i vazhdojmë lidhjet tona. Italishtja ka pasur një traditë të hershme në këtë fakultet por lufta la pasoja edhe këtu. Por jam shumë e lumtur që sot kemi mbi 56 studentë të regjistruar në kurse të italishtes dhe regjistrimet po vazhdojnë dhe tashmë italishtja është e hapur për të gjitha fakultetet”, tha ajo.

Profesoresha Alessandra Bertini nga Instituti Italian i kulturës në Tiranë tha se italishtja është gjuha e katërt në botë dhe studiohet në të gjithë botën për shumë arsye por mbi të gjitha për arsye se është e bukur.

“Italishtja është vendi i shkrimtarëve, i poetëve të mëdhenj dhe është vendi i Abresheve të cilët bëjnë pjesë në kulturën Italiane. Roli im është që pikërisht të sjellë pak nga Italia për aq sa mundëm, këtë mes jush. Me qenë se kemi 1 vit pune përpara do të kemi mundësin që t’iu tregojë shumë gjëra për Italinë, për aktivitetet kulturore të cilat do të zhvillohen gjatë këtij viti me shpresën që edhe ju do të keni mundësi të vizitoni Italinë”, shtoi ajo.

Dekanja e Fakultetit Filologjikë, Lindita Rugova tha se italishtja i ka mbledhur sot për t’ia nisur mbarë këtë vit akademik dhe për ta shënuar rëndësinë e bashkëpunimit me përfaqësuesit institucional, shtetëror dhe kulturorë në Prishtinë dhe Tiranë.

“Ekselenca e tij, Z.Sardi, ambasadori Italian në Kosovë dhe zonja Bertini qe ka ardhur nga Tirana në këtë ditë të rëndësishme për ne si fakultet, i kanë dhënë një mbështetje të madhe idesë tonë, projektit tonë të këtyre viteve të fundit për ta kthyer italishten në fronin e saj të dikurshëm brenda Filologjikut dhe UP-së , gjuha e parë ose e dyta e huaj me mundësi të mësimit dhe të studimit të saj nëpërmjet resurseve të bollshme didaktike dhe metodave bashkëkohore”, tha Rugova.

Përndryshe, gjatë vjeshtës dhe dimrit do të mbahet sezona e kulturës italine, e cila do të shënohet me shumë aktivitete.