Pas ngjarjeve të sotme në Universitetin e Prishtinës, ka folur profesori Bujar Dugolli, për pengimin e së cilit sot u arrestuan dy aktivistët e ORCA-s, Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha.
Profesori Dugolli, ndaj të cilit Organizata për Rritjen e Cilësisë së Arsimit në Kosovë ka ndërmarrë aksione, thotë se kreu i ORCA-s, Rron Gjinovci e ka personale me të.
“Këto janë përpjekje të tij personale për ta ndalur ndikimin që ai beson që e kam unë për t’i ndalur qëllimet e tij në universitet”, ka thënë Dugolli.
Dugolli insiston se Gjinovci dhe organizata që ai e drejton kanë qëllime për të shtrirë ndikim në Universitetin e Prishtinës dhe e mendojnë ata si pengesë.
Prej kohësh, ORCA e akuzon Dugollin për plagjiator dhe kështu e ka konsideruar edhe Këshilli i Etikës në Fakultetin Filozofik. Profesori i UP-së thotë se Gjinovci nuk është kompetent për ta vlerësuar.
Dugolli ka thënë se i ka kërkuar Senatit që për çfarëdo gabimi që mund ta ketë bërë ai, ose dikush tjetër nga stafi akademik i Universitetit të Prishtinës, janë masat e brendshme që mund të merren. Sipas tij, kjo “Nuk mund të lihet në dorën e njerëzve të rrugës të ndërmarrin veprime të tilla”, tha ai në T7.
Ai ka thënë se Gjinovci është “një student i dështuar”, që ka bërë 10 vjet për t’i kryer studimet themelore në Universitetin e Prishtinës.
Sipas Dugollit, ORCA është “ndërmarrje e organizuar”, që bën fushatë për të çuar studentët nga universiteti publik në universitete private.