Situata e pandemisë dhe masat kufizuese që ishin ndërmarrë kundër virusit, u kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.
Drejtori i këtij stacioni, Luan Hoti, ka thënë se situata financiare në stacionin e autobusëve ka qenë shumë e vështirë, gjë që ka rezultuar me humbje të afër gjysmë milion euro në këtë ndërmarrje.
“Duke pasur parasysh që peronizimi është shërbimi kryesor i cili krijon të hyrat kryesore për ndërmarrjen, duke na sjellë më shumë se 60 për qind të të hyrave, edhe ne nëse analizojmë se kemi rënie për afërsisht prej 50 për qind, normal që kjo humbje është rreth 50 për qind në totalin e të gjitha të hyrave. Pra, nëse përafërsisht kemi rreth 1 milion të hyra, atëherë për një vit besoj që humbjet janë rreth gjysmë milioni”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se gjatë periudhës 6 mujore të këtij viti ka pasur rënie të mëdha të linjave ndër urbane dhe atyre ndërkombëtare.
“Sipas analizave të cilat i kemi bërë, ose statistikave të cilat janë të paraqitura në raportet tona tremujore dhe gjashtëmujore, shihet qartë që në krahasim me vitin e kaluar në periudhën gjashtë mujore kemi rënie të mëdha të linjave, si atyre ndërkombëtare por edhe atyre ndër urbane. Pra sipas shënimeve të cilat i kam, të cilat i kam marrë nga departamenti i caktuar i cili merret me analizimin e linjave, sa i përket linjave ndër urbane kemi rreth 41 për qind me pak linja të mbajtura në krahasim me vitin e kaluar. Po ashtu, e njëjta situatë është edhe me linjën ndërkombëtare ku kemi rreth 47 për qind linja më pak ndërkombëtare, në krahasim me vitin e kaluar. Pra po flasim për periudhën kohore, 1 janar deri 30 qershor të këtij viti”, ka thënë Hoti.
Në statistikat e nxjerra nga departamenti që merret me analizimin e linjave, në muajin prill dhe maj të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar ka pasur rënie prej 100 për qind, pasi që me vendimin e qeverisë, linjat nuk kanë punuar.
Hoti ka deklaruar se nga qershori kanë filluar së funksionuari linjat ndër urbane, ndërsa sa u përket linjave ndërkombëtare, ai ka thënë se ka një rënie dukshëm të madhe.
“Me 13 mars, sipas vendimit të qeverisë, është ndalë qarkullimi i të gjitha linjave, si i atyre ndër urbane dhe ndërkombëtare, pra kjo situatë ka mbretëruar deri në 18 maj të këtij viti. Më 18 maj kemi pa disa lëvizje të vogla të disa auto transportuesve sepse në atë kohë ka qenë një moskoordinim i mirë në mes të udhëzimit administrativ, ose vendimit të qeverisë sa i për ketë linjave të cilat janë liruar dhe lëvizjes së qytetarëve. Kjo gjë është ndryshuar në fillim të muajit qershor, pikërisht me 1 qershor është heq kufizimi i lëvizshmërisë së njerëzve dhe me 1 qershor kanë filluar shumica e linjave ndër urbane të mbahen,. Ndërsa sa u përket linjave ndërkombëtare ende kemi pasur, kemi një mungesë të tyre, respektivisht kemi një ulje të madhe sa u përket linjave ndërkombëtare”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se ende ka kufizime në qarkullim me shtetet evropiane dhe ato fqinje, pos Shqipërisë. Ai ka thënë se numri i linjave të autobusëve është dukshëm më i vogël, krahasuar me numrin që kishin më herët./Gazeta Sinjali/