Gjykata Themelore në Gjilan gjatë ditës së djeshme aprovoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj mjekëve Luan Mustafa dhe Halil Basha, të cilët u arrestuan nën dyshimet se kanë kërkuar ryshfet për të kryer ndërhyrje kirurgjikale, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra, i cili bëri me dije se të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Ndërkohë, Spitali Rajonal i Gjilanit, ka bërë të ditur se dy mjekët, Luan Mustafa dhe Halil Basha janë suspenduar nga puna.
Përmes një vendimi, Spitali i Gjilanit, ka njoftuar se pas paraburgimit të tyre pezullohen dy mjekët me 50% të pagesës për shkak të masës së denimit nga Gjykata Themelore në Gjilan.
Këtë e ka bërë të ditur vet Spitali i Gjilanit, përmes dy vendimeve të publikuara.
Anesteziologu Halil Basha, dyshohet kishte kërkuar 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, ndërsa kirurgu Luan Mustafa, dyshohet se mori 330 euro, por kërkoi edhe 200 shtesë.
Rasti u zbulua pasi hetuesit arritën të siguronin dëshmi gjatë dorëzimit të parave te njëri i dyshuar.
Për këtë rast ka folur Muhamet Osmani, i cili e kishte paditur Luan Mustafën për marrje ryshfeti.
Osmani në një rrëfim për Gazetën Sinjali thotë se Mustafa i kishte kërkuar 1700 euro pagesë për ta bërë nënën e tij operacion, për një sëmundje që siç deklaron Osmani, nuk kishte ekzistuar kurrë.