image Gjykata merr vendim për dy mjekët e Gjilanit që u arrestuan nën dyshimet për marrje ryshfeti

Drejtësi

Gjykata merr vendim për dy mjekët e Gjilanit që u arrestuan nën dyshimet për marrje ryshfeti

news image

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj mjekëve Luan Mustafa dhe Halil Basha, të cilët u arrestuan nën dyshimet se kanë kërkuar ryshfet për të kryer ndërhyrje kirurgjikale, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra, i cili bëri me dije se të dyshuarve u është cakutar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Në lidhje me pyetjet e juaja për rastin në fjalë ju njoftojë se dje (01.05.2023), gjyqtari procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore ndaj dy pandehurve H. B. dhe L. M. të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje marrja e ryshfetit, nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji të pandehurve, i cili do të llogaritet prej ditës se ndalimit me 29.04.2023 e gjerë me datë 28.05.2023, konform dispozitave të nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafët 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale (KPP)”, ka thënë Shkodra.

Anesteziologu Halil Basha, dyshohet kishte kërkuar 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, ndërsa kirurgu Luan Mustafa, dyshohet se mori 330 euro, por kërkoi edhe 200 shtesë.

Rasti u zbulua pasi hetuesit arritën të siguronin dëshmi gjatë dorëzimit të parave te njëri i dyshuar.

Për këtë rast ka folur Muhamet Osmani, i cili e kishte paditur Luan Mustafën për marrje ryshfeti.

Osmani në një rrëfim për Gazetën Sinjali thotë se Mustafa i kishte kërkuar 1700 euro pagesë për ta bërë nënën e tij operacion, për një sëmundje që siç deklaron Osmani, nuk kishte ekzistuar kurrë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/