image Spitali i Gjakovës ka mungesë të kontejnerëve, mantilëve, maskave - drejtori i administratës e mohon

Kosovë

Shëndetësi/ Spitali i Gjakovës ka mungesë të kontejnerëve, mantilëve, maskave – drejtori i administratës e mohon

news image

Mjekët në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë përveç mungesës së mantilëve, maskave e dezinfektueseve, nuk po kanë as ku t’i hedhin mbulesat njëpërdorimshe, raporton Gazeta Sinjali.  

Gazeta Sinjali ka kontaktuar një person nga stafi mjekësor (emër i njohur për redaksinë), i cili tha se kontejnerët që i kanë janë të pamjaftueshëm për mbulesat njëpërdorimshe.               

“Nuk po kemi ku t’i hedhim mbulesat njëpërdorimshme. Kemi edhe mungesa tjera, drejtori operativ mund t’ju tregojë çka saktësisht po mungon”, tha ky sinjalizues.          

Por, Zenel Morina, drejtor operativ në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë mohoi të ketë mungesa për ndonjë gjë në këtë spital, pasi sipas tij në rast se do të kishte ai do të njoftohej.                 

“Jo, kemi kontejnerë, kemi siguru, kemi ble. Unë nuk e di kush e ka shfaqë atë brengë për kontejnerë, jemi furnizu. Kemi bërë edhe porosi, varësisht kur shfaqet nevoja, në bazë të kërkesës e realizojmë menjëherë. Nuk kemi mungesë të veçantë njëherë. Unë jam drejtori i administratës dhe në momentin kur vijnë ankesat tek unë të veçanta, atëherë këqyrim dhe i kryejmë furnizimin menjëherë. Kështu që, për momentin nuk kam shqetësime. Nuk e di zyrtarët e tjerë si janë deklaru, por zyrtarisht nuk ka kërkesë për diçka. Çkado që ka kërkesë në drejtori, shqyrtohen dhe realizohen në mënyrën më të shpejt të mundshme, edhe pse unë për momentin si drejtor administrate nuk kam diçka të veçantë se ka mungesë”, tha Morina.

Se ka mungesa të tilla në këtë spital, u bë e ditur edhe në njoftimin e mbrëmshëm në llogarinë e Facebook-ut të këtij spitali, përmes të cilët mjekët kërkuan nga politikanët që të mos i vizitojnë, pasi sipas tyre ata vetëm po ua shpenzojnë maskat dhe mantilët.

“Të nderuar politikanë. Jemi në situatë emergjente për shëndetin publik në nivel kombëtar, si rrjedhojë e kësaj apelojmë te klasa politike të qëndrojnë sa më larg institucioneve shëndetësore. Kemi nevojë për maska, mantilla, dezificentë për duar, NUK kemi nevojë për vizitat tuaja boshe, mos ejani në institucione shëndetësore për foto, mos na shpenzoni maska apo mantilla kot, respektojeni ligjin e emergjencave”, thuhet në njoftim.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të kuptuar nëse ministria që ai udhëheqë ka informacione për mungesat në spitalin e Gjakovës dhe kur do të bëhet furnizimi i tij me mjetet e nevojshme.    

“Jo vetëm në Gjakovë, kemi pasë mungesa të tilla, pothuajse në secilën pjesë, për arsye se nuk ka pasë edhe rezerva të cilat kemi mujt me i shfrytëzu diçka të tillë. I kemi bërë dy procedura të prokurimit, njëra ka përfunduar dje dhe besoj që nesër ose masnesër do të fillojë menjëherë distribuimi i të gjitha mjeteve të nevojshme që do i marrim”, tha Vitia për Gazetën Sinjali. /Gazeta Sinjali/