Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) ka reaguar pas takimit të kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, me kryeministrin, Albin Kurti, e në të cilin thuhet se Hykolli ia ka paraqitur atij mbështetjen për Ligjin për Pagat dhe atë për Zyrtarët Publikë.
Përmes një komunikate për media të shtunën, SPAK-u ka thënë se është i shokuar dhe se distancohet nga qëndrimi i Hykollit.
“Pas raportimit nga mediat për takimin kryeministrin e Kosovës z. Kurti me kryetarin e BSPK z.Hykolli dhe mbështetjes se dhënë nga ky i fundit kryeministrit për miratimin e dy ligjeve ati për zyrtar publik dhe ligjit te pagave, SPAK -u është i shokuar dhe distancohet fuqishëm nga ky qëndrim i z.Hykolli duke e konsideruar dhe konstatuar se ky qëndrim është puro personal i tije dhe asesi qëndrim i BSPK-së e as qëndrim i kryesisë se BSPK-së, pasi që kryesia nuk është ftuar te diskutoj për këtë temë”, thuhet në reagim.
Sipas SPAK-ut, këto dy ligje, e me theks të veçantë ai për zyrtarët publikë nuk është kundërshtuar vetëm nga sindikatat por edhe faktori ndërkombëtar si BE-ja.
Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka deklaruar të premten se BE-ja është e shqetësuar për disa dispozita të Ligjit për Zyrtarët Publikë që është miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës.
BE-ja vlerëson se komentet e SIGMA-s për këtë ligj dhe për Ligjin për Paga nuk janë marrë parasysh gjatë hartimit të tyre. Sipas BE-së, përmes Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë, shërbimi civil bëhet potencialisht i pambrojtur ndaj politizimit.
“BE-ja shpreh keqardhjen që Kuvendi i Kosovës ka miratuar këto dy ligje pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OECD/SIGMA, përkundër angazhimeve të MSA-së në këtë fushë. Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të pambrojtur ndaj politizimit. BE-ja do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet që ndikojnë në reformën e administratës publike në Kosovë, do të raportojë për këto çështje në raportet e saj vjetore për Kosovën dhe mund të rivlerësojë ndihmën e saj në këtë fushë”, thuhet në reagimin e BE-së.