image Sot vazhdon seanca ndaj 10 të arrestuarve në rastin "Brezovica"

Drejtësi

Sot vazhdon seanca ndaj 10 të arrestuarve në rastin “Brezovica”

news image

Sot vazhdon seanca dëgjimore ndaj dhjetë personave që janë arrestuar të martën gjatë një aksioni në Shtërpcë, shkruan Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se vendimin për vazhdimin e seancës e ka marrë gjyqtari i procedurës paraprake.

Të martën, u arrestuan 10 persona në aksionin në Shtërpcë, ku një nga ta ishte edhe ish-kryetari i kësaj komune, Bratislav Nikoliq.

Ai dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, por edhe “ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore”. Nikoliq dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.

Brezovica ndodhet në Komunën e Shtërpcës dhe është pjesë e Parkut Kombëtar “Sharri”. Është e njohur për qendrën e skijimit, e cila është vetëm 9 kilometra larg qendrës së Brezovicës.

Parku Kombëtar “Sharri” shtrihet përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut, në 39,000 hektarë tokë, prej të cilave, 39 për qind janë në Komunën e Shtërpcës.

Sipas Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri” ekzistojnë regjimet mbrojtëse, të ndara sipas zonave: e parë, e dytë, e tretë dhe zona e ndikimit. Ndërtimi nuk është i lejuar në zonën e parë dhe të dytë, ku përfshihen pjesët e parkut me veçori natyrore të jashtëzakonshme, të karakterizuara me ekosisteme e vlera tjera të natyrës. Ndërtimi lejohet në zonën e tretë të parkut, në harmoni me ligjin.

Çfarë do të ndodhë me objektet e ndërtuara pa leje?

Bajram Kafexholli, drejtori i Parkut Kombëtar “Sharri”, thotë se “të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, që kanë tejkalime, si dhe objektet e ndërtuara në zonat e dyta duhet të rrënohen si dhe të kthehen në gjendjen e mëparshme”.

Ai po ashtu shton se Drejtoria për administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” është e “shqetësuar me zhvillimet në fushën ndërtimit dhe infrastrukturës brenda territorit të Parkut Kombëtar ‘Sharri’, konkretisht në zhvillimet e ndërtimeve të vilave, hoteleve, hapjen e rrugëve dhe infrastrukturës në përgjithësi, me theks të veçantë për zonën menaxhuese Brezovicë”.

Prokuroria e Ferizajt njoftoi më 21 dhjetor se objektet që janë ndërtuar pa leje do të sekuestrohen përkohësisht.

Sipas Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri”, Brezovica i përket zonës së tretë, e cila përfshin territorin ku lejohet ndërtimi, rindërtimi, mbrojtja e objekteve tradicionale, si dhe rekreacioni e turizmi.

Ministria e Planifikimit Hapësinor thotë se lejet e ndërtimit të kategorisë së parë dhe të dytë i jep komuna, që do të thotë se vetëqeverisja lokale e Shtërpcës ishte përgjegjëse për dhënien e lejeve për shtëpitë e pushimit apo vilat në Brezovicë.

Lejet jepen nga drejtoritë për urbanizëm, kurse ecuria e ndërtimit mbikëqyret nga inspektorati komunal. Inspektorati i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor kryen inspektime nëpër komuna lidhur me zbatimin e ligjeve në fusha të caktuara”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për REL.

Po ashtu, ministria thotë se në Komunën e Shtërpcës janë vërejtur parregullsi, sa i përket ndërtimeve.

Në raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë, për vitet 2018-2019, të përgatitur nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, thuhet se në këtë periudhë Drejtoria për menaxhimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka iniciuar 624 procedura për shkelje të ligjit.

Është konstatuar se menaxhimi efektiv i zonave të mbrojtura dhe parandalimi i aktiviteteve ilegale në këto zona, janë sfidë për institucionet e Kosovës.

/GazetaSinjali/