image Sot shqyrtohen emrat për guvernator të BQK-së

Prodhime Vendore

Sot shqyrtohen emrat për guvernator të BQK-së

news image

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, në mbledhjen që do të mbajë sot, do të shqyrtojë listën e kandidatëve për pozitën e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Paneli për përzgjedhjen e guvernatorit të ri kishte intervistuar kandidatët më 25 janar 2023 dhe në fillim të shkurtit, emrat e 4 prej të cilëve i kishte dërguar në Qeveri dhe Kuvend.

Sipas BQK-së, pas përfundimit të veprimeve procedurale, kandidatët e vlerësuar më së miri janë: Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli e Shkëndije Himaj.

Nga paneli intervistues, Ismajli ishte vlerësuar me 35.3 pikë nga 40 pikët maksimale, ndjekur nga Kryeziu me 34 pikë; zëvendësguvernatori aktual, Ismajli, ka marrë 33 pikë dhe Himaj është vlerësuar me 26 pikë.

Guvernatori do të zgjidhet për një mandat pesëvjeçar dhe pritet të fillojë punën më 29 mars 2023.

Në bazë të Ligjit për BQK-në, guvernatori si kryeshef ekzekutiv i këtij institucioni është pjesë e Bordit dhe kryesues i Bordit Ekzekutiv. Neni 38 i këtij Ligji përcakton edhe mënyrën e emërimit të shefit të saj.

“Lista me radhitjen e të gjithë aplikantëve që konsiderohen nga paneli se kanë përmbushur kriteret do të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe Qeveri, e cila mund t’i japë një mendim Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kusht që ky mendim të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës brenda pesëmbëdhjetë ditëve”, thuhet në pikën dy të nenit 38.

Në fund kompetencat për përzgjedhjen e guvernatorit i takojnë Kuvendit të Kosovës.

/GazetaSinjali/