image Sot shpallet aktgjykimi ndaj Kristë Gjokajt dhe 5 policëve të dyshuar për keqtrajtimin e qytetarit të prangosur

Drejtësi

Sot shpallet aktgjykimi ndaj Kristë Gjokajt dhe 5 policëve të dyshuar për keqtrajtimin e qytetarit të prangosur

news image

Sot në Gjykatën Themelore në Gjilan, do të shpallet aktgjykimi në rastin ku ish-komandanti i policisë në rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarët e tjerë policorë: Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj, po akuzohen për keqtrajtimin e një të prangosuri brenda stacionit policor.

Aktgjykimi pritet të shpallet në orën 13:00.

Gjokaj dhe 5 policët akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Ndërsa, i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

Për këtë rast kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, duke publikuar edhe videon e trajtimit çnjerëzor të qytetarit të prangosur në stacionin policor të Gjakovës.

Sipas aktakuzës, komandanti Kristë Gjokaj, më 14 nëntor 2018, në objektin e stacionit policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi i cili kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur si i dyshuar për dy vepra penale, në atë mënyrë që derisa ishte ulur në karrige, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, derisa nga aty të pandehurin e largon një zyrtar policor.

Ndërsa për katër të akuzuarit e tjerë theksohet se kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, ashtu që me qëllim që të nxjerrin informacione, për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale, për të cilat i dëmtuari ka qenë i dyshuar, e sulmojnë fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.

Shaban Limanaj akuzohet se ka kryer veprën tjetër penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Sipas aktakuzës, Shaban Limanaj, si person përgjegjës në qendrën e ndalimit në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, pasi iu ka mundësuar policëve Milot Ukaj, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari Muhamer Raifi të cilët pastaj e kanë keqtrajtuar duke e sulmuar fizikisht.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/