image Sot rivarrosen mbetjet mortore të 7 personave të zhdukur të masakrës së Krushës së Vogël

Sociale

Sot rivarrosen mbetjet mortore të 7 personave të zhdukur të masakrës së Krushës së Vogël

news image

Mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, nga Masakra e Krushës së Vogël, do të rivarrosen sot në përvjetorin e kësaj masakre me kërkesë të familjeve dhe me përkrahje institucionale.

Ditën e sotme në orën 12:00 në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në fshatin Krushë e Vogël, fillon ceremonia e varrimit të shtatë viktimave të Masakrës së Krushës së Vogël:

  1. Hysen (Maxhun) Zylfiu, viti i lindjes 1935, i zhdukur me datën 26.03.1999
  2. Nue (Shyt) Prenkaj, viti i lindjes 1960, i zhdukur me datën 26.03.1999
  3. Sami (Aziz) Shehu, viti i lindjes 1974, i zhdukur me datën 26.03.1999
  4. Ahmet (Manush) Berisha, viti i lindjes 1938, i zhdukur me datën 26.03.1999
  5. Nuredin (Qazim) Shehu, viti i lindjes 1927, i zhdukur me datën 26.03.1999
  6. Skifter (Osman) Batusha, viti i lindjes 1981, i zhdukur me datën 26.03.1999

Pjesë e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të këtyre personave do të jenë kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.

Familjarët e personave të identifikuar janë pritur në takim nga përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, zv.Drejtori i Përgjithshëm dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Familjarët u njoftuan për angazhimin e institucioneve dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në zbardhjen e së vërtetës dhe evidentimit institucional të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë si dhe për angazhimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur dhunshëm nga lufta në Kosovë, duke vënë theksin edhe në punën që aktualisht është duke u realizuar në procesin e ri-inventarizimit të mbetjeve mortore të paidentifikuara deri më tani. Po ashtu u veçua angazhimi i vazhdueshëm dhe përpjekjet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur.

Përfaqësuesit e institucioneve falënderuan familjarët e personave të zhdukur, që përkundër dhimbjes së madhe dhe vuajtjes për këto 23 vite, gjithmonë kanë treguar mirëkuptim dhe kanë ofruar gjithë bashkëpunimin e nevojshëm në këtë proces të ndjeshëm dhe kompleks.

Procedurat administrative të dorëzimit të mbetjeve mortore të të shtatë viktimave të luftës, që ishin në Listën e Personave të Zhdukur janë kryer të premten në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

/GazetaSinjali/