Ditën e sotme do të zhvillohet seanca e radhës në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e shkarkimit të presidentit Ilir Meta.
Seancën e kaluar, përfaqësuesit e Presidentit kërkuan kohë për t’ju përgjigjur pyetjeve që anëtarët e gjykatës dhe përfaqësuesit e Kuvendit bënë në adresë të tyre. Kështu sot, në orën 10:00 ata do të rikthehen sërish në seancë për t’ju dhënë përgjigje këtyre pyetjeve.
Presidenti Meta ka pretenduar që e gjithë procedura e ndjekur nga Kuvendi për shkarkimin e tij ka qenë një farsë dhe në shkelje ligjore kushtetuese. Përfaqësuesit e tij kanë renditur sipas tyre një sërë argumentesh, që nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve ku nuk u respektua detyrimi për të dëgjuar Presidentin e deri tek miratimi nga parlamenti i raportit të Komisionit Hetimor, raporton TVklan.
Një tjetër shkelje sipas përfaqësuesit ligjor të Metës ka qenë edhe fakti që Komisioni Hetimor u ngrit dhe e shtriu punën e tij në 4 muajt e fundit të legjislaturës parlamentare./GazetaSinjali/