image “Afera e Hidrocentraleve”, sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi

Drejtësi

“Afera e Hidrocentraleve”, sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi

news image

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet të vazhdojë shqyrtimi kryesor në rastin ku po akuzohen katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq. Bashkë me ta po akuzohen edhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka.

Ata po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.

Seanca e fundit në këtë ishte paraparë të mbahej më 17 dhjetor, por në mungesë të Mimoza Kusari-Lilës, ky gjykim kishte dështuar.

Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik, gjatë së cilës seancë të akuzuarit janë deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.

Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kryetar i trupit gjykues është gjykatësi Valon Kurtaj.

Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.

Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.

Ndërsa, kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

/GazetaSinjali/