Sot do të nisë raundi i gjysmëfinaleve të Play-Off për edicionin 2022-23 në Superligën e Kosovës në Basketboll, raporton Sinjali Sport.
Katër skuadra gjysmëfinaliste që do të kërkojnë titullin janë Prishtina, Peja, Ylli e Trepça.
Sigal Prishtina e cila mbylli sezonin e rregullt në pozitën e parë, do të takohet me skuadrën që përfundoi sezonin në pozitën e katërt, Trepçën.
Ndërkohë vendi i dytë, Peja, do të takohet me vendin e tretë, Golden Eagle Yllin.
Dueli i sotëm do të jetë ai mes skuadrës pejane dhe asaj suharekase, me fillim nga ora 20:30.
Ndeshja e parë zhvillohet në “Karagaçi” të Pejës për shkak të avantazhit të pozitës së klasifikuar në tabelë, ndërkohë që sistemi i gjysmëfinaleve është 1-1-1-1-1. Skuadra që arrin tre fitore kualifikohet në finale.
Golden Eagle Ylli është kampion aktual i ligës, duke e fituar madje dy herë radhazi.