image Sot nis java për të drejtat e viktimave të krimit

Sociale

Sot nis java për të drejtat e viktimave të krimit

news image

Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, nga sot deri më të premten do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”.

Java do të hapet sot me anë të një konference e cila do të organizohet në përputhje me të gjitha masat mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19.

Konferenca e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit do të fillojë me fjalën e mirëseardhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për të vazhduar me fjalën e rastit të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Ministres së Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, përfaqësuesit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, John Hanley dhe Menaxherit të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Basri Kastrati.

Të pranishëm në këtë konferencë do të jenë edhe përfaqësuesit e misioneve diplomatike të akredituara në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, nga nesër, do të mbahen sesionet e Javës, të cilat do të zhvillohen online nëpërmjet platformës Zoom, ku do të diskutohen tema të ndryshme, si: Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër dhunës në familje; Konfidencialiteti dhe ruajtja e privatësisë së viktimave të krimit; Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër trafikimit të njerëzve dhe Trajtimi i kryesve të dhunshëm me varësi nga droga, alkooli dhe me probleme të shëndetit mendor.

Folës dhe pjesëmarrës në sesionet e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit do të jenë përfaqësues të institucioneve të ndryshme në nivel vendi, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të mediave dhe partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

/Gazeta Sinjali/