image Vrasja e Agonis Tetajt/ Fejzullah Hasani beson se ndodhi nga pakujdesia, hedh kritika mbi kryeprokurorin e gjyqësorin

Drejtësi

Vrasja e Agonis Tetajt/ Fejzullah Hasani beson se ndodhi nga pakujdesia, hedh kritika mbi kryeprokurorin e gjyqësorin

news image

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, ka komentuar vrasjen e Agonis Tetajt, e cila ndodhi në shtatorin e vitit 2018 në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan dhe vendimin e prokurorit të rastit për ricilësimin e kësaj vepre nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Hasani vlerëson se ricilësimi i kësaj vepre ishte i duhur, pasi që, sipas tij, është e vështirë të besohet se ka pasur një motiv a qëllim që të kryhet ajo vrasje.

“Unë e kam pa. Vërtet është e tmerrshme ajo për familjen e viktimës, por edhe për familjen e autorit të kësaj vrasje. Mirëpo, ligji te ne njeh 3 lloj vrasje, ligji, por edhe çdokund e drejta penale në botë, njeh 3 lloj vrasje, vrasjet e rëndomta, të rënda, por edhe vrasje të privilegjuara, ose vrasje nga pakujdesia. Domethënë vetë fjala vrasje nga pakujdesia do të thotë kur ti je i pakujdesshëm, i pavëmendshëm dhe e vret tjetrin pa pasur dashje për ta vrarë. Tash ti nëse e merr, unë po flas si jurist, si teoricient, si prakticient, ngase gjithë karrierën time kam kalu në sistem gjyqësor në të gjitha nivelet, si avokat, si gjyqtar i shkallës së parë, të dytë, të Supremes, vështirë është për të besu se ka ekzistu qëllimi i dikujt për ta vrarë dikënd, kur nuk din kush që ka pas një të keqe mes viktimës dhe vrasësit”, tha ai në DTV ( nga minuta 14:20).

“Prokurori ka të drejtën me ricilësu veprën penale kur konsideron se është e tillë, domethënë tash unë pa hy në detaje, por unë pak besoj, anipse e di unë që ka pas reagime të shumta. Unë kam pa reagime të opinionit, reagime të komunitetit që nuk e njohin atë fushë, që gjithnjë është dukur se kanë qenë në një aspekt të ndikuar nga dhembshmëria që ka shkaktu, se vërtetë ajo krijon neveri, krijon dhimbje, krijon edhe për mu kur e shoh një djalë i cili e humb jetën, pa asnjë, domethënë në mënyrën më banale të mundshme, mirëpo unë thashë nëse ngjarja është ashtu si përflitet se kanë ekzistu dy revole, njëra ka qëndru në këllëf, ndërsa kjo me gas ka qëndru jashtë këllëfit dhe nëse është e vërtetë që dikush e ka ndërru atë revole, që po del që po, gabimisht e ka ndërru, në vend që me e fut në këllëf vrasësen, e ka fut këtë me gas dhe ky s’ka pas kurrë të keq me të, nuk din kush që ka pas të keq me të”, shtoi ai.

Bazuar në pamjet e kamerave që shfaqin momentin e vrasjes, Fejzullahu thotë se Shaban Gogaj, i akuzuari për këtë vrasje, nuk ka pasur shënjestër dhe qëllim për të vrarë Agonis Tetajn.

“Vrasja mund të ndodh aty për aty, qëllimisht aty për aty, në grindje e sipër, nuk shikon rrethana, e humb atë gjykimin e arsyeshëm dhe mbizotërojnë ndjenjat në arsye dhe mund ta vrasësh njeriun, mirëpo pa konflikt paraprak, të mëhershëm, pa konflikt në moment dhe nëse, unë po flas nga prizma e spektatorit që sheh nga distanca virtualisht, pa e pa, e pa i lexu ato dosje e shkresa të lëndës, mirëpo nëse e shikoni me vëmendje, ju e shikoni se ai nuk ka pas target fare, domethënë shtënia e tij nuk ka qenë target, target dukeshin se ishin të tre, që ka mund secilin nga këta tre të goditet, se ky ka gjuajtë në drejtimin e tyre, ngase këto armë me gas nuk prodhojnë pasoja”, tha ai.

Kësisoj, ai thotë se një vrasje të tillë, ligji e njeh si “vrasje nga pakujdesia”.

“Unë thashë krejt bashkëndjej dhimbjen e asaj familje që ka humb, nuk ka vrasje më të tmerrshme, më humbje më të tmerrshme, mirëpo ligji e njeh vrasjen nga pakujdesia, po e shihni vetë emri vrasje nga pakujdesia, e vret pa qëllim për ta vrarë, tash është pytja tjetër, është goxha vështirë për ta bind dikënd se në praninë e kamerave, të cilat janë në funksion për 24 orë, ti pa asnjë të keq po e nxjerr revolen dhe po e vret njeriun, që mundësitë janë për të vra dhe kamuflu vrasjen në mënyra krejt tjera, e jo në mënyrë të tillë aq transparente”, sqaron Hasani.

“Unë të thashë nuk mund të them tash me përpikëri a ishte a s’ishte, por nga ajo çka kam pa virtualisht nëpër media, unë më shumë jam i prirur për të besu se aty ka pasur vrasje nga pakujdesia”.

Deklaratat e dëshmitarëve që Shaban Gogaj ka qenë një menaxher që u ka bërë presion punëtorëve, ish-kryetari i Supremes thotë se nuk e mbështesin akuzën se ai ka pasur qëllim ta vrasë dikë, madje në prani të kamerave.

 “Ky mund me siguri të plotë të deklarohem dhe nuk jam në rrjedhë të ngjarjes, unë po flas nga leximet që kam bë nëpër portale, nga ato që i kam pa që janë shfaq edhe kamerat edhe po flas si jurist, për mu është vështirë e kapshme dikush pa pas asnjë të keq, kurrë pa pas asnjë të keq. Çështjen si menaxher ai mund të jetë arrogant, ajo është çështje diçka tjetër. Menaxherët edhe nëpër institucione, dikush është më arrogant e dikush është më skofjar, më i sjellshëm, domethënë nuk e determinon ajo për kaq, ajo se ai ka pas ndonjë qëllim, për që duket se është vagabond, tash ndoshta është fjalë e rëndë, duket që është i llastuar, nonshalant, i pakujdesshëm, nga vetë sjelljet duket që ai ka qenë i tillë, mirëpo vështirë është për të nxjerrë përfundime se ka dashtë për ta vrarë në praninë e kamerave, në praninë e gjithë këtyre njerëzve, se ai kur don me vra ju thotë largojuni ju.

Ish-kryetari i Supremes u pyet edhe për fotografinë e avokatit të Gogajt, Besnik Berishës dhe prokurori i rastit, Agron Uka, në të cilën ata shihen në një restorant bashkë.

Hasani tha se takimet mes avoaktëve, prokurorëve e gjyqtarëve është e pamundur të shmangen për shkak se puna i lidh palët dhe profesionistët e fushës së drejtësisë nuk mund të izolohen. Mirëpo, ai thotë se është e vështirë ta bindësh publikun që ka qenë takim rastësor.

“Jo unë po të them, meqenëse i përket komunitetit të njëjtë, është e pamundur me shmang takime, kontaktet, menjëherë koincidon në këto lloj takimesh dhe është vështirë me bind opinionin që këtu ska pas ndonjëherë, mua shpeshherë kanë ardhë me më fotografu, kam qenë Kryetar i Gjykatës Supreme, kam qenë gjyqtar, s’ta ndalon kërrkund, kemi pas mbledhje, nuk mundesh me ndejtë me gjyqtarin që e ke lëndën, se vetë puna ty të lidh, nuk mund t’i shmangesh, mos të izolohesh, mos të pish kafe kurrë veç pse është avokat, unë kam qenë avokat, kam pi edhe unë me gjyqtarë na ka ra.”

Kjo fotografi e cila nxiti reagime të shumta në opinion, të cilat Hasani thotë se nuk do të duhej të shtynin kryeprokurorin Lumezi të bënte kërkesë për ndërrimin e prokurorit të rastit.

Ish-kryetari i Supremes e quan skandaloze dhe në kundërshtim me ligjin kërkesën e kryeprokurorit, vetëm për shkak se ricilësimi i veprës nxiti reagime të shumta në publik, nga njerëz të cilët ai thotë se nuk e njohin fare fushën e drejtësisë dhe ligjin.

“Tash ti nganjëherë janë këto takimet që të kushtoj, mund të jenë takime që janë vërtetë shoqërore, vërtetë të rastësishme aty për aty, por është vështirë për ta bind opinionin se pas ndodhjes së ricilësimit se diçka s’ka pas me Prokurorin. Por unë një po ua them sjellja e zyrës së Prokurorit, ajo ka qenë që nuk e njeh praktika gjyqësore, praktika nuk e njeh, thirrjet e tilla në opinion për ta ndërru prokurorin, as nuk mund të ndodh kund në botë, as nuk e njeh një mundësi të tillë”.

Veprimin e Lumezit Hasani e vlerëson si shkelje flagrante.

“Për mua shkelja më flagrante ka qenë pikërisht prononcimi i Prokurorit, ngase Prokurori është i lirë që ai të kualifikojë veprën si ai mendon që është në përputhje me ligjin, janë procedurat ankimore nëse eventualisht ai ka abuzu, janë procedurat të shpërdorimit të detyrës zyrtare, mund të përgjigjet penalisht, por jo ti të dalësh e të thuash, edhe prej kur ekziston që është ndërtu ky sistem gjyqësor, edhe në vendet e botës së tretë, ku sundimi i ligjit apo standartet janë nën çdo nivel, nuk ka mundësi të ndërrohet prokurori pasi të mbyllet procedura penale.”

“Krejt këto procedura që kanë ndodh nga ana e caktimit të prokurorit tjetër, pastaj gjykata për ta kthy çështjen, krejt këto kanë qenë procedura, asnjë emër tjetër s’kanë përveç procedura klandestine, domethënë që nuk i njeh ligji, asnjë bazë ligjore nuk e kanë. Nuk ka mundësi, ato kanë qenë procedurat ankimore, në momentin kur përfundon procedura penale, Gjykata në asnjë mënyrë nuk ka mund më ta kthejë çështjen siç ka vendos Gjykata, për shkak se i pandehuri e kishte pranu fajësinë dhe me pranimin e fajësisë Gjykata ishte pajtu”, tha ai.

Jashtë standardit e normave ligjore Hasani thotë se është edhe vendimi i gjykatës që rastin ta kthejë në rishqyrtim.

“Por sikur të mos ta kishte pranu fajësinë, Gjykata para se të vendoste për çështjen kryesore, mund të thoshte një provë më paska mbet e pasqaruar dhe po kthehem, por këtu nuk ka qenë ajo situatë, këtu e ka pranu fajësinë, domethënë s’ke çka merresh më me fakte, e vetmja mundësi kanë qenë procedurat ankimore. Këto procedura si ka vepru Prokurori janë unikate, që janë jashtë çdo standardi e norme ligjore dhe çdokund në botë ajo tërheq përgjegjësi, së paku disiplinore, por edhe vendimi i Gjykatës për ta kthy çështjen është vendim që nuk është pa, e as nuk ka mbulesë ligjore askund, kështu që unë vështirë.”

Hasani thotë se gjyqtarët dhe prokurorët nuk duhet asnjëherë të bien pre e opinonit.

“Unë po e them një gjë, po e them me bindje të plotë, kur si gjyqtar dhe si prokuror ke deficienca në dije, atëherë je i pasigurt dhe bjen pre e opinionit, ngase gjyqtarët dhe prokurorët fare nuk duhet të merren me opinionin, unë e di që është e dhimbshme mënyra se si ka shku ai djalë, mirëpo nuk mund të bie pre e opinionit Prokurori e as Gjykata edhe gjyqtari që është në nivelin minimal, kurrë s’do e bënte por ai do e respektonte ligjin, është mbyllë seanca gjyqësore, janë mjetet juridike, janë mjetet ankimore, çdo gjë tjetër ka qenë jashtë çdo procedure ligjore, që nuk e njeh ligji, as mundësinë me dal në media Prokurori që të ndërrohet Prokurori.”

“Prokurori në moment kur e thotë fjalën përfundimtare, misionin Prokurori në aspektin e shkallës së parë ka përfundu, roli i Prokurorit mund të vjen në shprehje me rastin e procedurave ankimore e jo aty, por aq më pak Kryeprokurori me thënë ndërroje, ngase thashë çdo Prokuror është i lirë me cilësimin juridik, është i lirë ngase këtë e garanton standardi, ligji, nëse merresh, edhe Kushtetuta edhe Ligji, edhe shoqata e prokurorëve i ka ato standartet ndërkombëtare dhe evropiane që prokurori është i lirë të bëjë ricilësimin”, tha ai.

“Nëse ti mendon që ai e ka keqpërdorur detyrën zyrtare, ti mund të fillosh procedurat penale dhe ai dënohet me burgim nëse ka abuzu me detyrën zyrtare, a jo ti pse ai e ka ricilësu, se atëherë prokurori s’po guxojka kërrkund me ricilësu.  Tash nuk përjashtohet mundësia me gabu, edhe gabimet janë të mundshme, po të mos ishin ato gabime, por janë nivele, Gjykata e shkallës së parë, e shkallës së dytë, Gjykata Supreme, domethënë çdo gabim ti nuk mund ta penalizosh prokurorin nëse ai ka gabu, sa gabime kemi në një cilësim juridik, edhe me dalë në atë mënyrë pse ka reagu opinioni, pse ka reagu ky, domethënë unë besoj që për këtë rast ka me u shkru shumë për shkak të skandaleve që kanë ndodh.  Unë nuk ma merr fare mendja që mundet ai vendim me kalu në instancat gjyqësore, sepse thashë është jashtë të gjitha procedurave që i parasheh ligji”, përfundoi Hasani./Gazeta Sinjali/