image Këshilli Prokurorial në mbështetje të Aleksandër Lumezit: Nuk do të lejojmë ndikim nga jashtë - Sinjali

Këshilli Prokurorial në mbështetje të Aleksandër Lumezit: Nuk do të lejojmë ndikim nga jashtë

news image

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka reaguar pas raportimit të disa mediave, të cilat paralajmëruan shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, raporton Gazeta Sinjali.

Në reagimin e KPK-së thuhet se Lumezi e gëzon mbështetjen e plotë të të gjithë anëtarëve të Këshillit në ushtrimin e mandatit të tij kushtetues dhe ligjor.

Ky këshill përmes një deklarate për media ka vlerësuar maksimalisht punën e kryeprokurorit.

“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në vazhdimësi është vlerësuar maksimalisht për punën e tij sipas standardeve më të larta nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.”

Andaj, çfarëdo tendence për inskenime të mundshme që kane për qëllim destabilizimin institucional, cenimin e integritetit, mandatit dhe prestigjit të Kryeprokurorit të Shtetit, do të dështojnë”, thekson komunikata.

KPK-ja ka njoftuar se nuk do të lejojë asnjë interferim apo çfarëdo interesi nga jashtë.

Tutje, Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ Kushtetues i pavarur dhe i paanshëm, nuk do të lejojë asnjë interferim apo çfarëdo interesi nga jashtë, përfshirë edhe dëshirat e partive politike, individëve të caktuar dhe grupeve të interesit të ndikojnë në punën dhe mandatin e bartësve të sistemit prokurorial, përkatësisht të Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet tutje në komunikatë.

Lidhur me raportimin e disa mediave sot reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se kryeprokurori do të zgjedhet gjatë vitit të ardhshëm dhe se një gjë e tillë është kompetencë e Këshillit Prokurorial, e jo e Qeverisë./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin