Nga sot e deri më 10 gusht mbahet edicioni i 18-të i festivalit të filmit “DokuFest”.
Tematika e këtij edicioni është zgjedhur të jetë e vërteta, transmeton Sinjali.
Para publikut do të shfaqen 282 filma si dhe do të ketë muzikë e panele të ndryshme, ku do të trajtohen tema që kryesisht synojnë fuqizimin e të rinjve në tregun e punës.
Drejtoresha e këtij festivali, Nita Deda tha se këtë vit “DokuFest” do të ketë një program të larmishëm, duke përfshirë ekspozita, muzikë dhe filma për të gjitha kategoritë.
Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, tha se nga 2500 filma garues janë përzgjedhur 16 të tillë që do të garojnë në gjashtë kategori.
Sipas tij, risi këtë vit do të jetë kinemaja mobile, e cila do të udhëtojë në disa lagje më të skajshme të Prizrenit, për ta sjellë festivalin në çdo pjesë të qytetit.
Nurkollari u shpreh se edhe këtë vit “DokuFest” do të ketë një festival muzikor që do të shtrihet në katër skenat e festivalit.
Drejtori artistik njoftoi po ashtu se në këtë edicion do të shfaqen edhe 50 filma për të rinj dhe fëmijë.
Sipas përzgjedhësit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda tha e programi i filmit të shkurtër përmban gjithsej 30 filma që janë përzgjedhur gjatë tërë vitit. Ai tha se tema e këtyre filmave do të jetë migrimi, racizmi e çështje gjinore./Sinjali/