image Drejt epokës së re të eksplorimit të Hënës, NASA sot lëshon mega-raketën

Botë

Drejt epokës së re të eksplorimit të Hënës, NASA sot lëshon mega-raketën

news image

Agjencia Amerikane e Hapësirës është në prag të nisjes së një rakete gjigante drejt hënës.

Raketa e quajtur SLS është më e fuqishmja e zhvilluar ndonjëherë nga NASA dhe do të jetë themeli i projektit të saj Artemis, përmes të cilit synon të kthejë njerëzit në sipërfaqen e hënës pas një mungese 50-vjeçare, shkruan BBC.

Raketa është planifikuar të ngritët nga Qendra Hapësinore Kennedy në orën 08:33 me kohën lokale (12:33 GMT; 13:33 BST) të hënën.

Detyra e saj do të jetë të shtyjë një kapsulë të quajtur Orion, larg Tokës.

Kjo anije kozmike do të rrotullohet rreth hënës në një hark të madh përpara se të kthehet në shtëpi në Oqeanin Paqësor pas gjashtë javësh.

Orion nuk është i pajisur me ekuipazh për këtë demonstrim, por duke supozuar se i gjithë hardueri funksionon siç duhet, astronautët do të ngjiten në bord për një seri të ardhshme misionesh gjithnjë e më komplekse, duke filluar nga viti 2024.

“Gjithçka që po bëjmë me këtë fluturim Artemis I, ne po shikojmë përmes lenteve se çfarë mund të vërtetojmë dhe çfarë mund të demonstrojmë që do të zvogëlojë rrezikun për misionin e ekuipazhit Artemis II,” shpjegoi astronauti i Nasa-s, Randy Bresnik.

Hera e fundit që një mega-raketë e tillë u lëshua nga Qendra Kennedy ishte në vitin 1973.

Njerëzit e fundit që ecën në Hënë ishin dy astronautët meshkuj të misionit Apollo 17 në 1972 , ndërsa dhjetë astronautë të tjerë amerikanë i kishin paraprirë gjatë pesë misioneve të mëparshme, me uljen e parë në hënë nga misioni Apollo 11 në 1969.

NASA në dekadat e fundit e ka kthyer vëmendjen e saj te planetët e tjerë Marsi, Saturni dhe Jupiteri, por tani ajo është e interesuar sërish për Hënën, duke përfshirë si një stacion kalimi për qëllime më të largëta hapësinore. Aq më tepër që vitet e fundit është kuptuar se në Hënë ka mjaft ujë në formë të ngrirë, diçka e rëndësishme për një prani më të përhershme njerëzore, jo vetëm si ujë i pijshëm, por edhe si lëndë djegëse raketash pasi shpërbëhet në oksigjen dhe hidrogjen.

/GazetaSinjali/