image Osmani sot përballet me Selakoviqin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Politikë

Osmani sot përballet me Selakoviqin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

news image

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot raportin e rregullt gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres mbi situatën në Kosovë, që i referohet periudhës nga 16 marsi deri më 15 shtator.

Kosova do të përfaqësohet në këtë takim nga presidentja, Vjosa Osmani e cila udhëtoi të mërkurën për New York, ndërsa Serbia nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq.

Raporti do të prezantohet nga shefi i UNMIK-ut Zahir Tanin, i cili ditë më parë u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

Në raportin mbi situatën në Kosovë, shefi i OKB-së përshëndeti rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ai shprehu mbështetje për pjesëmarrjen e plotë të autoriteteve kosovare dhe serbe në aktivitetet e Grupit të Punës për Personat e Zhdukur.

Gjithashtu i është bërë thirrje të gjitha institucioneve, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetin lokal, që të sigurojnë një mjedis të përshtatshëm për kthimin e sigurt, dinjitoz dhe të qëndrueshëm të të gjithë PZHBV-ve dhe të kthyerve, dhe riintegrimin e tyre në shoqërinë kosovare.

Raporti gjithashtu flet për rastin ndaj Ivan Todosijeviqit, që u dënua me dy vjet burgim për “nxitje të urrejtjes kombëtare, racore, fetare ose etnike” për deklarata mbi “Masakrën e Reçakut”.

Këshilli i Sigurimit të OK-së për Kosovën u mblodh për herë të fundit në prill të këtij viti online, për shkak të pandemisë së COVID-19./GazetaSinjali/