Sot, në Gjykatën Themelore në Ferizaj do të mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Flamur Hamiti për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, shkruan Gazeta Sinjali.
Shqyrtimi gjyqësor ndaj tij u veçua një vit më parë, pasi njëri nga tre të akuzuarit, Kosovar Osmani e pranoi fajësinë për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Flamur Hamiti e pranoi fajësinë vetëm për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, Flamur Hamiti së bashku me Pajtim Hamitin, më 15 shtator 2017, rreth orës 15:00, në Ferizaj, rruga Ferizaj-Prishtinë, me dashje kishin tentuar që t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit, Alban Bucaliu dhe Petrit Bucaliu, për shkak të një mosmarrëveshje në komunikacion në mes të pandehurit, Flamur Hamiti dhe të dëmtuarit, Petrit Bucaliu, me ç’ rast gjatë tejkalimit kishin dëmtuar retrovizorët e automjeteve.
Sipas aktakuzës, sapo kanë arritur tek autosalloni “Enzo”, i pandehuri Flamuri kishte dalë nga automjeti dhe kishte filluar fjalosjen me të dëmtuarin Petritin, me ç’ rast edhe kishte shtënë dy herë me armë në drejtim të këmbëve të tij.
Tutje, në aktakuzë thuhet se pas kësaj, të pandehurit ishin nisur në drejtim të Shkupit dhe diku pas 50-60 m kthehen përsëri, e me të arritur përball autosallonit “Enzo”, skaj rrugës kishin qenë të dëmtuarit Alban, Petrit, Taulant Bucaliu dhe Alban Mehmeti, ku i pandehuri Flamur nga dritarja e automjetit kishte shtënë me armë 3-4 herë në drejtim të dëmtuarve duke u’a rrezikuar jetën.
Tutje, pas kësaj ngjarje të dëmtuarit me automjetin e tyre ishin nisur në drejtim të pandehurve ku edhe ishin takuar me veturat e tyre para motel “XXL”.
Të dëmtuarit, Petrit dhe Alban, kishin dalë nga vetura duke i’u afruar veturës së të pandehurve, ku i dëmtuari Petrit kishte hip mbi pjesën e përparme të veturës “Audi”, me ç’ rast i pandehuri Flamuri përmes parafangos kishte shtënë me armë në drejtim të tyre, i’a hapin derën prapë shtënë në drejtim të tyre.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj kishte filluar edhe kacafytja në mes tyre, ku të pandehurit Flamur i kishte rënë arma nga dora, me ç’ rast i pandehuri i dytë Pajtimi del nga vetura e merr armën dhe shtënë në drejtim të dëmtuarit Alban Bucaliu, i cili kishte mbetur i plagosur në regjionin e kofshës së djathtë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Në këtë rast nga të shtënat i ishte rrezikuar edhe jeta të dëmtuarve Petrit dhe Taulant Bucaliu.
Për këtë, të akuzuarit Flamur Hamiti akuzohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të KPRK-së./Gazeta Sinjali/