E premtja është dita e fundit e fushatës para zgjedhjeve për pushtetin komunal të së dielës në Kosovë. Autoritetet thonë se po bëhen përgatitjet e fundit për të siguruar një proces të qetë dhe demokratik.
Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi, tha se tashmë janë kryer të gjitha veprimet që garantojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të së dielës, i cili do të mbikëqyret nga rreth 25 mijë vëzhgues të akredituar.
“Këto katër muaj që po i lëmë pas kanë qenë plot angazhim për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në organizimin e zgjedhjeve lokale. Ky është një nga proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse dhe Kosova ka krijuar një traditë të çmuar në organizim të zgjedhjeve.”
“Si Komision kemi arritur të përmbyllim me sukses qindra aktivitete zgjedhore me një qëllim të vetëm që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote të mund të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë të lirë dhe demokratike”, tha ai.
Laura Pula, bashkërenduese kombëtare e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, tha se 80 prokurorë janë angazhuar për të siguruar veprimet ligjore ndaj përpjekjeve të mundshme për keqpërdorim të votës në 38 komuna të Kosovës.
“Nëse eventualisht do të vijë deri te ndonjë keqpërdorim i votës së lirë të qytetarit, Prokurori i Shtetit së bashku me policinë do të jenë gardian të mbrojtjes së votës ashtu që do të ndalojnë dhe arrestojnë të gjithë votuesit që tentojnë ta keqpërdorin votën.”
“Por po ashtu në kuadër të procedurave standarde do të ndalojnë dhe arrestojnë edhe zyrtarët përgjegjës të cilët në çfarëdo mënyre tentojnë apo ndikojnë në keqpërdorimin e votës së lirë”, tha Pula.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se mbi 3 mijë e 350 zyrtarë policorë do të jenë në detyrë të dielën për të siguruar këtë proces zgjedhor.
“Në ditën e zgjedhjeve numri i zyrtarëve policorë të përfshirë do të jetë në 883 qendra të votimit do të kemi mbulim për 24 orë nga një mijë e 766 zyrtarë policorë, në 38 depot komunale do të kemi 152 zyrtarë policorë, në 194 ekipet mobile do t’i kemi 194 zyrtarë policorë.”
“Njësitë reaguese do të mbulohen nga 800 zyrtarë policorë të kyçur direkt në operacion, ndërsa do të jenë të asistuar nga 240 pjesëtarë të njësisë speciale dhe 200 pjesëtarë të njësive të reagimit të shpejtë”, tha ai, raporton VOA.
Nga numri i përgjithshëm i vëzhguesve të zgjedhjeve, 177 janë të organizatave ndërkombëtare, ndërsa 39 të përfaqësive diplomatike në Kosovë.
Gjithsej 89 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, një koalicion, 33 nisma qytetare dhe 23 kandidatë të pavarur janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal të 17 tetorit, ndërsa rreth një milionë e 885 mijë 450 votues kanë të drejtë vote./Gazeta Sinjali/