image Sonda e Emirateve të Bashkuara arrin në orbitën e Marsit

Botë

Sonda e Emirateve të Bashkuara arrin në orbitën e Marsit

news image

Emiratet e Bashkuara Arabe po festojnë misionin e parë të tyre në Mars.

Ato kanë vendosur një sondë, të quajtur Shpresa, në orbitën përreth planetit duke u bërë entiteti i pestë që e bën këtë pas SHBA-së, Bashkimit Sovjetik, Evropës dhe Indisë.

Anija kozmike, e cila është larguar nga Toka shtatë muaj më parë, duhej të bënte një manovër frenimi, për t’u siguruar se do të kapej nga graviteti i Marsit.

Shkencëtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe tani mund të studiojnë atmosferën e planetit.

Sateliti i tyre bart tre instrumente që, përveç tjerash, do të vëzhgojnë se si atomet neutrale të hidrogjenit dhe oksigjenit, mbetjet nga uji dikur i bollshëm i Marsit, rrjedhin në hapësirë.

“Ne donim të arrinim në Mars. Unë jam vërtet mirënjohëse. Më duket sikur një peshë, prej shtatë vjetësh, është hequr nga supet e mia”, tha Sarah Al Amiri, ministre e Emirateve të Bashkuara Arabe për Teknologji të Përparuar dhe kryetare e Agjencisë Hapësinore të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Të mërkurën, në orbitën e Marsit pritet të arrijë edhe sonda e Kinës, Tianwen-1, ndërsa javën e ardhshme, më 18 shkurt, edhe një anije e SHBA-së. /GazetaSinjali/