Vendimi që Këshilli i BE-së mori sot për miratimin e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk bie ndesh me faktin se pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Kështu deklaroi ministri i Brendshëm i Republikës së Sllovakisë, i emëruar përkohësisht, Roman Mikulec, i, pas përfundimit të debateve ministrore.
Rregullat e reja, tashmë të dakorduara nga shtetet anëtare me Parlamentin Evropian, me rekomandimin e Komisionit Evropian, do t’u lejojnë shtetasve të Kosovës të udhëtojnë në vendet anëtare të BE-së pa vizë për një qëndrim prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore, raporton agjencia sllovake e lajmeve TASR.
“Do të jetë liberalizimi i vizave për Kosovën, njëlloj si për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me faktin se do të mund të jepen viza për qytetarët e Kosovës për 90 ditë. Sigurisht që do të shihet se si kjo do të zbatohet në praktikë. Gjithashtu bazuar në faktin se Kosova i premtoi BE-së ndihmë në luftën kundër kontrabandistëve, kundër migrimit në rrugën e Ballkanit Perëndimor”, tha Mikulec.
Ai shpjegoi se është përpjekje e Komisionit Evropian që të sigurojë unitetin e BE-së në zbatimin e masave individuale në mënyrë që ajo të jetë e suksesshme edhe në politikën e kthimit.
“Këtë e promovon edhe Sllovakia prej kohësh, se pa kthime funksionale dhe ripranime, politika evropiane e migracionit nuk do të funksionojë”, theksoi ministri.
“Kjo është më tepër një çështje e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por nuk ka të bëjë asgjë me faktin se ne nuk e kemi njohur legjitimitetin e Kosovës. Ne përkrahëm liberalizimin e vizave”, e përshkroi Mikulec qëndrimin e Sllovakisë.