Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni ka reaguar pasi KQZ ka bërë të ditur se zyrtarëve të tyre iu është pamundësuar hyrja në zyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.
Hyseni përmes një postimi në Facebook, i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të tregohet i përgjegjshëm në raport me incidentet e fundit në Veri.
“Zotni Albin Kurti, shfaqu para popullit dhe trego çka po ndodhë në veri të vendit dhe si e ke ndërmend me stabilizu gjendjen atje. Pak javë më parë, ti Zotni, me veprime e vendime diletante e amatoreske veriun e dorëzove në duart e grupeve kriminale serbe atje, të cilat dirigjohen nga Presidenti serb Vuçiq”, ka shkruar Hyseni.
Sipas Hysenit, Kurti mbase është duke pritur që përkrahësit e tij do të vijnë të stabilizojnë Veriun e Kosovës apo ai është duke pritur që SHBA të i jap informacione të cilat ai nuk i ka.
“Apo, mbase po pret që të vijnë ata militantët tu nga Zvicra a Gjermania, Suedia a Norvegjia, Austria a Danimarka……., ta stabilizojnë veriun. Apo mos ndoshta ende je t’u prit Amerikën të të jap informata të cilat ti “si zakonisht nuk i ke”, përfundoi Hyseni.