Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda” sot janë mbajtur zgjedhjet për Odën e Mjekëve të Kosovës. Në mesin e katër mjekëve të zgjedhur është edhe Zef Komani, ish-kryeinspektori i Ministrisë së Shëndetësisë, i dënuar për korrupsion, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për zgjedhjen e tij për OMK e ka bërë të ditur vetë Komani, përmes një postimi në Facebook, i cili ka treguar se ka marrë 30 vota.
Komani ka premtuar se do të punojë në dobi të mjekëve, personalit shëndetësor e në veçanti në dobi të pacientëve.
“Sot u mbajtën zgjedhjet për Oden e Mjekëve të Kosovës ne Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë. Pas numërimit të votave ky është rezultati: 1. Dr. Luan Pazhari 29 vota. 2. Dr. Amir Iljazi 16 vota.3. Dr. Zef Komani 30 vota. 4. Dr. Ilirjana Frrokaj 11 vota. Të gjithë së bashku do të punojmë në dobi të mjekëve, personelit shëndetësor e sidomos pacientëve”, shkroi ai.
Kush është Zef Komani?
Zef Komani, ish-kryeinspektor i Zyrës së Inspektoratit Shëndetësor, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 1 vit e tetë muaj burgim për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, në tetor të 2012-ës.
Ai akuzohej se sa ishte përgjegjës për inspektimin, nëse klinikat private shëndetësore po respektonin ligjet dhe rregullore e Ministrisë së Shëndetësisë, shqiptoi dhe kërcënoi disa klinika private se do të shqiptonte dënime të majme, me arsyetimin se gjoja ata nuk kishin respektuar rregulloren.
Klinikat mund të evitonin këto dënime vetëm në rast se do të paguanin Komanin për “heshtjen” e tij në ministri, shkruan Gazeta Sinjali.
Madje, Komani ngarkohej se kishte marrë 2 mijë e 500 euro mito nga një klinikë private shëndetësore, në mënyrë që e njëjta ta evitonte një gjobë prej 12 mijë eurosh.
Por, kjo nuk kishte mjaftuar me kaq. Komani pas disa muajsh e kishte telefonuar prapë pronarin e asaj klinike, nga i cili kishte kërkuar 2 mijë e 500 euro të tjera, duke e kërcënuar se do t’i shqiptonte një gjobë të madhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Mirëpo, plani i tij i shkoi huq, pasi që pronari i cili pranoi të takohej me Komanin për t’ia dorëzuar paratë, e kishte njoftuar Policinë për këtë takim, të cilët e arrestuan Komanin për mit-marrje.
Me rastin e arrestimit, Komani ishte arsyetuar se këto para po i merr pronarit të klinikës për t’ia plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për hapjen e një ordinance të re, që i dëmtuari po planifikonte ta bënte së shpejti.
Edhe avokati i tij në gjykatë ishte arsyetuar se Komani ishte një profesionist i përgjegjshëm, duke cekur raste kur ai kishte shqiptuar gjoba në disa klinika, ku punonin të afërm të tij.
Sidoqoftë, këto arsyetime nuk patën ndikim te trupi gjykues, i cili e shpalli Komanin fajtor dhe e dënoi për korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtare me një vit e tetë muaj burgim./GazetaSinjali/