image S’ka nxënësa, tri shkolla rrezikojnë të mbyllen në Suharekë

Sociale

S’ka nxënësa, tri shkolla rrezikojnë të mbyllen në Suharekë

news image

Tri shkolla rrezikojnë të mbyllen në Komunën e Suharekës për shkak të numrit të ulët të nxënësve, e pikërisht ky fakt ka bërë që kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj ta mendojë si opsion bartjen e nxënësve në shkollat që ka më shumë.

I pari i Suharekës ka thënë se çdo vit kanë të regjistruar më pak nxënës se vitin paraprak, teksa vazhdoi duke bërë të ditur se ka shkollë që i ka vetëm pesë nxënës dhe se cilësia aty lë shumë për të dëshiruar.

Duke marrë si shembull një fshat të kësaj komune, Muharremaj ka thënë se aty mësimi mbahet nga klasa e parë deri të pestën.

“Është një trend jo vetëm në Suharekë, por në të gjitha komunat e Kosovës, do me thënë nataliteti ka ra. Kur bie nataliteti kuptohet që edhe numri i nxënësve mungon, ne e përcjellim gjeneratë pas gjenerate, çdo vit kemi të regjistruar në klasë të parë ose në shkollë fillore më pak, është e vërtetë që kemi rrezik diku në tri shkolla e kemi pas Dragaçinën, është një fshat ose një lagje e që ka qenë e shkollës që është në Duhël, mirëpo ajo shkollë është rreziku pasi kanë mbet shumë pak familje në atë fshat, një e kemi edhe në Vushec, do me thënë në shkollë në Dolloc jemi duke e shqyrtuar rastin… Aty diku më 24-25 shtëpi, aty kemi pas prej klasës së parë deri në të katërtën apo të pestën, e që nxënësit bëjnë për me shku në Mushtisht, por nganjëherë me thënë të drejtën s’ka mësim cilësor aty ku ka 4-5 nxënës dhe është shumë problem, atëherë më mirë është me u organizua Komuna me e bë bartjen e nxënësve, me shku atje ku ka më shumë nxënës, cilësia në arsim është më e mirë”, ka thënë Muharremaj për Ekonomia Online.

E mundësinë për bartjen e nxënësve, Muharremaj ka thënë se do ta diskutojë me bordin e shkollës e me prindërit.

Ai shpreson që të arrihet një marrëveshje me ta.

“Ne bisedojmë së pari me bordin e shkollës, bisedojmë më prind, ma shumë se prindërit që i duan fëmijët e vet nuk i don askush, kështu që në marrëveshje dhe në darkordim me të gjithë bashkë, mirëpo ne bartëm numrin më të madh të shkollave në komunën e Suharekës, sidomos në viset malore, edhe pse është e paraparë në tri kilometra ne dikund, bëjmë shkelje edhe në dy kilometra, për shkak të qenve endacak dhe për shkak të kushteve atmosferike, atëherë kemi fillu bartjen e nxënësve se e kemi edhe obligim, për shkollat fillore”, u shpreh Muharremaj.

Ndonëse disa shkolla rrezikojnë të mbyllen, aktiv Muharremaj është me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në këtë komunë.

Vonesat për ndërtimin e saj ia lë Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Ai është optimist se brenda një viti e gjysmë, Shtëpia e Kulturës do të përfundojë.

“Shtëpinë e Kulturës e kemi fillu, mbasi që ka ardh lënda prej Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka vendosur, unë besoj që kompania ka fillu me kry punimet aty, edhe pse këtë vit janë nda nga Ministria e kulturës diku 500 mijë euro, ajo shtëpi kushton mbi 3 milionë euro, por besoj që në marrëveshje me ministrin me u dakordu, sa ka mundësi punëkryesi me kry punën, ne do mundohemi me i kry pagesat dhe besoj që brenda një afati 1 vit e gjysmë do të përfundon edhe shtëpia e kulturës që është me rëndësi për njerëz që merren me kulturë në Komunën e Suharekës do të jenë kushtet më të mira”, ka thënë Muharremaj.

/GazetaSinjali/