image S'ka lëvizje, Escobar pyetet për takimin Kurti-Vuçiq: Kam përshtypje se s’do të ndodhë këtë javë

Politikë

S’ka lëvizje, Escobar pyetet për takimin Kurti-Vuçiq: Kam përshtypje se s’do të ndodhë këtë javë

news image

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka bërë të ditur se takimi i thirrur nga i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që synon uljen e tensioneve mes dy vendeve, nuk pritet të ndodhë këtë javë.

Ai tha se është shumë herët herët për të vendosur nëse takimi do të bëhet këtë javë dhe se shpresojnë për një takim të nivelit të lartë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Është tepër herët për të vendosur nëse takimi do të bëhet këtë javë. Kam përshtypjen që nuk do të bëhet, por duhet të vazhdojmë të shpresojmë për një takim të nivelit të lartë sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh ai për Zërin e Amerikës.

Escobari po ashtu kundërshtoi propozimin e Kurtit që për Asociacionin e komunave me shumicë serbe palët të bien dakord paraprakisht për vijat e përgjithshme të tij, para se Prishtina të paraqesë një projekt konkret.

“Qëndrimi ynë, qëndrimi amerikan, ka qenë gjithnjë se modeli i asociacionit duhet të jetë i tillë që të ofrojë shërbime komunale për një pakicë kombëtare të gjuhës serbe. Kaq – shërbime komunale. Ajo nuk duhet të ndërhyjë me kushtetutën e Kosovës, strukturën e saj ligjore, apo funksionalitetin e saj. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian u ka dhënë 16 lloje të ndryshme modelesh evropiane, që do të funksiononin për Kosovën. Në asnjë nga ato modele nuk mundet, që një vend fqinj të hyjë brenda kufijve të një vendi tjetër dhe të pengojë funksionalitetin e tij. Pra, nuk po kërkojmë një mjet matematikor midis dy qëndrimeve. Kërkojmë një version evropian. Pra, atij nuk i duhet asgjë më shumë se kjo”, shtoi Escobar.

I pyetur se çfarë do të ndodh nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e dëgjon qëndrimin amerikan e evropian, ai tha se kjo nuk është çështje personale e Kurtit dhe SHBA-së, por e gjithë komuniteti transatlantik.

“Kjo nuk është një çështje SHBA – Kurti. Këtu është i gjithë komuniteti transatlantik që po i thotë qeverisë së Kosovës se dëshirojmë të bashkëpunojnë me qeverinë, por ne nuk mund të respektojmë vendime të njëanshme që krijojnë tension në një mënyrë të panevojshme, të shmangshme dhe të parashikueshme. Kjo është e gjitha çfarë po kërkojmë”, përfundoi Escobar.

/GazetaSinjali/