Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë është mbledhur sot pas zhvillimeve të djeshme në veri të Kosovës.
Presidenca e Serbisë ka publikuar pamje nga kjo mbledhje derisa ka shpërndarë edhe deklaratën e Aleksandër Vuçiqit, i cili citohet të ketë thënë se “Republika e Serbisë do të jetë e fortë dhe e palëkundur në mbrojtjen e popullit të saj”.
Tensionet në veri të vendit u rritën pas betimit të kryetarëve të rinj, të cilët dje duhej ta fillonin punën në objektet përkatëse komunale.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë disa qytetarë serbë që u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, në përpjekje për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat e tyre. Ata arritën të futen në zyret e tyre, me asistimin e Policisë.
Ndaj këtyre zhvillimeve kanë reaguar ashpër ndërkombëtarët. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri, por se çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve.
Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.
“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë.
Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.