Në këto momente është liruar rruga në në fshatin Zupç, barrikadë kjo e vendosur në aksin rrugor që çon në pikën kufitare në Bërnjak.
Qarkullimi në këtë rrugë tashmë ka filluar të zhvillohet normalisht. Gjatë ditës së djeshme, në Rudarë të Zveçanit, rreth orës 15:00 nisi heqja e barrikadës së parë.
Kamionët e autobusët u ndezën nga persona të maskuar.
Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.
Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.
Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit.
Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë.
“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera, krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten,” tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e fundvitit me gazetarë.
Se barrikadat do të largoheshin tha të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.
Vuçiq u takua me ta mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
Ai tha të mërkurën se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin. Kërkesat e serbëve janë: lirimi i ish-policit Dejan Pantiq, që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”, dhe të mos lejohej hyrja e forcave speciale të Kosovës në veri.