Janë bërë nëntë ditë që kur Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitetin për targat e përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.
Që nga ajo ditë banorët e komunave veriore të Kosovës në shenjë proteste kanë bllokuar vendkalimet kufitare në Jarinje dhe në Bërnjak, për të kundërshtuar këtë masë.
Gjatë këtyre ditëve u sulmuan edhe qendrat për regjistrimin e automjeteve në Zveçan dhe Zubin Potok, shkruan Gazeta Sinjali.
Për të gjetur një zgjidhje për uljen e tensioneve në veri të vendit, sot në Bruksel do të takohen shefat e grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Ndonëse u raportua në media, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të jenë pjesë e këtij takimi.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Sinjali dje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili e ka sqaruar se kush do të jetë pjesëmarrës në takim.
“Takimi do të mbahet nesër në Bruksel. Dialogu ka 2 pjesëmarrës (Kosovën, Serbinë) dhe një lehtësues (BE-në). Të gjithë të tjerët vetëm e mbështesin atë (dialogun) nga jashtë”, ka thënë Stano për Sinjalin./GazetaSinjali/