image Situata në Ukrainë, Kurti flet me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike të Kosovës

Politikë

Situata në Ukrainë, Kurti flet me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike të Kosovës

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, takoi virtualisht ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, në këtë takim të jashtëzakonshëm u diskutua për agresionin ushtarak dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse.

“Diplomatët tanë, me detyrë në vende të ndryshme të botës, u njoftuan nga kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla për vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e sanksioneve ndaj entiteteve dhe individëve nga Rusia, Bjellorusia dhe dy rajonet e Ukrainës që shpallën ilegalisht ‘pavarësinë’. Me këtë veprim Republika e Kosovës u rreshtua përkrah vendeve demokratike, në këtë betejë botërore kundër diktaturës e autokracisë”, theksohet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se “Ata po ashtu njoftuan kryeministrin dhe zëvendëskryeministren lidhur me angazhimin e tyre intensiv në përcjelljen e informacionit tek vendet që mbulojnë për pozicionin e Republikës së Kosovës, në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”.

/GazetaSinjali/