Eksperti rus i Akademisë së Shkencave Ruse, Aleksandr Sergeev thotë se muaji mars mund të na gjejë përballë një epidemie globale, nëse koronavirusi i ri kinez vijon të përhapet me ritmet aktuale.
“Sëmundja është mjaft e rrezikshme dhe numri i rasteve po rritet në mënyrë eksponenciale. Nëse vijon edhe për një muaj tjetër, mund të kthehet në një epidemi globale”, citohet të ketë thënë ai për gazetarët.
Në këndvështrimin e tij, Organizata Botërore e Shëndetësisë duhet të bëjë më shumë.
Nga ana tjetër, janë rreth 30 medikamente që mund të trajtojnë infeksionin. Të paktën kështu shprehet ish-inspektori rus i shëndetit, Dr Gennady Onishchenko.
“Në mënyrë që t’i sigurojmë të gjithë: Janë rreth 30 ilaçe që ekzistojnë sot dhe përdoren, që mund të funksionojnë kundër virusit. 12 prej tyre janë ato që përdoren gjithashtu për të trajtuar infeksionin e HIV”, tha Onishchenko.
Sipas autoriteteve ruse, deri më tani në këtë vend nuk është raportuar asnjë rast i personave të prekur nga koronavirusi. Deri më tani, numri i të vdekurve nga koronavirusi ka shkuar në 106, ndërsa, ai i të prekurve në 4 500./Gazeta Sinjali/