image Sinjali i Mjekut: A është depresioni sëmundje?

Analizë

Shëndetësi/ Sinjali i Mjekut: A është depresioni sëmundje?

news image

Depresioni është gjendja në të cilën njeriu humb ndjenjën e të qenurit i gëzuar, i pikëlluar apo emocioneve të tjera të caktuara. Dyshimeve se a është depresioni sëmundje, neuropsikiatri Sami Rexhepi u përgjigjet me po.

“Është klasifikuar si sëmundje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ashtu njihet nga e gjithë bota” – thotë Rexhepi për Gazetën Sinjali.

Sipas tij është e rëndësishme që të mos ngatërrohet depresioni me ndonjë gjendje tjetër emocionale në të cilën mund të kalojnë njerëzit kohë pas kohe.

“Por jo çdo gjë është depresion, po përdoret termi depresion pothuajse për gjithçka, edhe për ndonjë çrregullim ose ndonjë krizë emocionale edhe për psikozë edhe për çdo gjë ne themi depresion, duhet të dallohet depresioni e të mos ngatërrohet me gjendje të tjera”.

Rexhepi thotë se depresioni duhet të trajtohet me seriozitet por jo nga njerëzit që nuk janë të thirrur profesionalisht, ndërsa vë theksin se stigmatizimi i rrethit e shoqërisë përkeqëson gjendjen e pacientit.

“Është shumë e rëndësishme që të rinjtë kanë filluar ta pranojnë shumë më mirë depresionin dhe të kërkojnë trajtim. Familja duhet me i përkrah, me i mbështet dhe t’i bëjnë të kuptojnë që nuk janë vetëm. Në fakt është koha e fundit që të mendohet më seriozisht edhe nga vet shteti, vetëvrasjet te të rinjtë po ndodhin sepse ata më së shumti zhgënjehen, kanë krijuar pritje të mëdha, sa më shumë pritje që krijohen zhgënjimi është më i madh”.

Neuropsikiatri thotë se çdo njeri mund të përjetoj një shkallë të ankthit dhe depresionit dhe kjo mund të mos i pengoj të jetoj në kushte normale por situata përkeqësohet atëherë kur personi humb dëshirën për të funksionuar.

“Në momentin kur ky ankth ose ndonjë krizë emocionale na bën jofunksional, aty fillon problemi. Nuk mund të themi se të gjithë njerëzit janë të lumtur deri në fund, secili e ka një mungesë, një boshllëk brenda vetës dhe kjo krijohet prej pritjeve që i ka kriju ose të tjerët i’a kanë imponu. Zakonisht janë prindërit me kërkesa të mëdha dhe kur nuk plotësohen atëherë të rinjtë ndjehen dështak dhe ajo është shkalla më e rëndë. Dhimbja më e madhe shpirtërore është kur ke dështu në jetë dhe ndjenja se je vetëm në këtë botë” – thotë ai.

Rexhepi thotë se asnjëherë nuk duhet hezituar të kërkohet trajtim nga profesionistët, ndërsa vë theksin në faktin se në Kosovë njerëzit e thirrur në fushat përkatëse duhet të fillojnë të punojnë së bashku.

“Jo të ndahemi veç psikiatrat, veç psikologët, duhet më i mbledh forcat të gjithë bashkë dhe me kërku zgjidhje” –  përfundon Rexhepi. /Gazeta Sinjali/