Pas raportimit të Sinjalit për bllokimin e mallrave në doganën e aeroportit, për tri ditë me radhë, zyrtarët e këtij institucioni kanë marr masa për tejkalimin e situatës.
Zëdhënësi i doganës Adriatik Stavileci ka bërë të ditur për Sinjalin se rrjeti i internetit i Cargos tashmë është rregulluar dhe se doganierët kanë filluar punën.
“Rrjeti i internetit i Cargos sot është rregullu nga IT dhe është përmbyll situata” ka deklaruar Stavileci për Sinjalin.
Dogana në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” kishte rënë nga sistemi. Për pasojë doganierët nuk kishin arritur t’i procedojnë deklaratat duke i lënë qytetarët të bllokuar për tri ditë pa mundësi për ta tërhequr mallin. Ironia më e madhe është se e tërë kjo avari ka zgjatur si pasojë e prishjes së një kabloje të internetit.
Në këto depo ka pasur edhe mall farmaceutik i cili duhet të ruhet në kushte të posaçme.
Qytetarët kanë shprehur pakënaqësi të mëdha. Ata kanë shpenzuar mijëra euro për ta marrë mallin me kohë ndërsa pamundësia për ta pranuar atë po u shkakton dëme të mëdha./Sinjali/