Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, i ka dërguar letër kryeministrit ne detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, duke thënë se në emër të gjithë punëtorëve shëndetësor shpreh indinjatën e thellë në lidhje me ndarjen e kompensimit shtesë për punëtorët shëndetësor bazuar në Pakon Fiskale Emergjente.
Në këtë letër theksohet se në këtë pako mungojnë disa kategori.
“Po jua rikujtojë se para marrjes së vendimit tuaj në mbledhjen e Qeverisë ne me datë 29 Mars u jemi adresuar duke kërkuar që në këtë Pako të futen të gjithë punëtorët shëndetësor dhe stafi mbështetës duke filluar nga punëtorët e sigurimit, punëtorët e pastrimit, bartësit, vozitësit, punëtorët e shërbimeve teknike dhe të administratës, IT,profilet jo-mjekësore të punësuar në institucione shëndetësore, infermierët, mjekët, specialistët e të gjitha fushave mjekësore, farmacistët, psikologët, stomatologët e gjithë të tjerë”.
Sipas Sylës ata kanë hasë në vesh të shurdhër dhe deklaron se si pasojë e kësaj zyrtarët e Kurtit kanë bërë presion tek menaxhmentet e institucioneve shëndetësore për pastrim të listave.
“I nderuari Kryeministër në detyrë, me këtë ju po bëni shkelje të të drejtave të punëtorëve shëndetësor të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet pozitive të Republikës së Kosovës. Bazuar në këtë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës do ti adresohet Avokatit të Popullit dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave Lirive të Njeriut në Kosovë. Në fund po jua themi OSE STIMULOJINI TË GJITHË PUNËTORËT SHËNDETËSOR OSE ASNJËRIN PREJ TYRE”, thuhet në letër.
Më tej, theksohet se punëtorët shëndetësor dhe stafi mbështetës nuk janë për lëmoshë por kërkojnë respektin e merituar nga institucionet e Republikës së Kosovës./GazetaSinjali/