image Sindikata e QKMF në Skenderaj: Përcjellësi i pacientit sulmoi fizikisht komplet ekipin e Urgjencës

Shëndetësi

Sindikata e QKMF në Skenderaj: Përcjellësi i pacientit sulmoi fizikisht komplet ekipin e Urgjencës

news image

Kryesia e Sindikatës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj dhe Federata e Sindikatave e Shëndetësisë, kanë deklaruar se dje një përcjellës i një pacienti ka sulmuar fizikisht komplet ekipin e Urgjencës.

Përmes një njoftimi, Sindikata e QKMF-së ka bërë të ditur se njëri nga punonjësit shëndetësorë, ka marrë edhe trajtim në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas Sindikatës, veprime të tilla ndaj profesionistëve shëndetësorë janë të dënueshme dhe të patolerueshme.

“Me të pranur informatën Kryesia e Sindikatës pranë kësaj njësie ka reaguar dhe përkrahur punëtorët (anëtarët) e sulmuar, duke e dënuar këtë rast dhe duke  shprehur shqetësim lidhur me sulmin e lartcekur që iu është bërë stafit mjekësor. Dhe përderisa një akt i tillë i ulët siç është dhuna fizike kryhet në ambientin e punës, e sidomos në këtë kohë Pandemie kjo bënë që të vihet në pikëpyetje jeta dhe siguria në vendin e punës”, thuhet në reagimin e tyre.

Kryesia e sindikatës pranë QKMF- Skenderaj fton organet e rendit dhe të drejtësisë të veprojnë konform legjislacionit në fuqi që ndaj kryerësit të kësaj vepre të shëmtuar të shqiptohet dënimi meritor.

“Gjithashtu kryesia e sindikatës dhe anëtarësia kërkuan edhe nga menaxhmenti i QKMF-Skenderaj që të ndërmerret ndonjë veprim për mbrojtjen e tyre fizike. Shpresojmë që rastet e tilla mos të përsëriten sepse kësi ngjarje të tilla e zbehin dinjitetin e punëtorit shëndetësor”, tutje në njoftim.

Ndërsa FSSHK ka dënuar rëndë dhunën ndaj punëtorëve shëndetësorë dhe ka kërkuar nga organet kompetente të merren me rastin.

“Duke ditur që raste të tilla të turpshme  janë bërë të shpeshta të cilat po e fyejnë rënd identitetin dhe imazhin  e punëtorëve shëndetësorë në vend dhe i fton organet e rendit dhe të drejtësisë të veprojnë konfrom legjislacionit në fuqi që ndaj kryerësve të kësaj vepre të shëmtuar të shqiptohet dënimi meritor”, thuhet në reagim.

Gazeta Sinjali ka kontakuar me Policinë e Kosovës për të marrë detaje lidhur me rastin.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë se rasti ka ndodhë dje dhe është inicuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’.

“Rasti shkon në procedurë të rregullt”, tha Zahiti.

/GazetaSinjali/