Sindikata e Policisë së Kosovës ka zgjedhur heshtjen rreth skandalit policor në Stacionin Policor të Gjakovës, ku u torturua një qytetar me duar të lidhura nga komandanti i stacionit policor, Kristë Gjoka dhe pesë vartësit e tij, të dyshuar për përfshirje në këtë rast kapiteni Bekim Preqi, Milot Ukaj Gëzim Biblekaj, Shaban Limanaj dhe Agron Idrizi.
Videoja ekskluzive e publikuar nga Gazeta Sinjali shpërfaq në detaje trajtimin çnjerëzor dhe rrahjen brutale që bëjnë pjesëtarët e policisë së shtetit të Kosovës ndaj të prangosurit, Muhamer Raifi.
Përkundër këtij skandali policor që bie ndesh me Ligjin e Policisë, etikën e pjesëtarëve të saj dhe Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, sindikalistët e Policisë nuk po kanë guxim dhe kurajo për ta dënuar këtë akt brutal të kolegëve të tyre, duke u bërë tërthorazi mbështetës të dhunës përmes heshtjes.
Gazeta Sinjali, prej dje, ka provuar ta marr një përgjigje zyrtare të Sindikatës së Policisë, por drejtuesit e saj, po hezitojnë të flasin për këtë rast.
Në thirrjen e redaksisë, kryetari i Sindikatës, Shaban Tasholli, pasi ka ngritur telefonin, ka kërkuar që të kontaktohet pas një orë e gjysmë, por më pas, gjatë tërë ditës së djeshme ashtu sikurse edhe sot, nuk e ka hapur telefonin.
Më herët, Sindikata e Policisë u kishte dalë në mbrojtje komandantit të stacionit policor të Gjakovës, Kristë Gjoka dhe pesë vartësve të tij duke kërkuar heqjen e masës së suspendimit ndaj tyre dhe kthimin në vendet e punës.
Madje për këtë çështje, kreu sindikal, Shaban Tasholli ishte ankuar në takime të ndara me kryeministrin në dorëheqje Ramush Haradinaj, drejtorin e Policisë, Rashit Çalaj, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa dhe zëvendësin e Avokatit të Popullit, për padrejtësitë që sipas tij, janë bërë me rastin e suspendimit të zyrtarëve policorë në Gjakovë, të përfshirë në dhunë.
Gazeta Sinjali kishte mësuar nga burimet se Tasholli te kreu i Qeverisë kishte deklaruar se forca e përdorur nga policia ka qenë proporcionale ndërsa suspendimi i padrejtë dhe se ishte ankuar se Ombusdpersoni ka dërguar ankesë vetëm në bazë të deklaratës së të dyshuarit pa hetim të mirëfilltë. Më tutje raportohet se kreu sindikal kishte paralajmëruar për mundësinë e organizimit të protestave.
I pyetur atëherë nga Gazeta Sinjali rreth pretendimeve të Prokurorisë dhe Inspektoratit të Policisë për përdorim të paautorizuar të forcës, kryetari i Sindikatës, Shaban Tasholli, ishte përpiqur t`i shmanget përgjigjes duke thënë se nuk ka qasje në prova.
“Asnjë lëndë të ankuesit nuk e kam pa përveç raportit të policisë ku thuhet se policët kanë pasur të bëjnë me një kriminel, i cili i ka 36 vepra penale. Derisa e kanë shti situatën nën kontroll është e mundur që policia është polici dhe ka vepruar sipas rregullave që i ka, mirëpo ndoshta inspektorati ka gjetë diçka që është tejkalu shoqërimi i tij në stacionin e policisë”
Pas insistimit të Gazetës Sinjali se a e dënon dhunën e ushtruar nga policia ndaj qytetarit me duar të lidhura, ai kishte thënë se nëse hipotetikisht policët kanë ushtruar dhunë sindikata do ta dënonte një akt të tillë.
“Nëse ata e kanë tejkaluar autorizimin zyrtar le të ballafaqohen. Ne nuk jemi me falë gabim. Përdorimi i forcës ndaj njeriut duarlidhur (në pranga) nuk lejohet dhe normalisht e dënojmë nëse ka ndodhur kështu”., ka deklaruar për Sinjalin kreu sindikal i Policisë.
Por, përkundër këtyre deklaratave të mëhershme, tashmë kur provat e ushtrimit të dhunës brutale policore ndaj qytetarit me duar të lidhura kanë dalë në shesh nga videoja ekskluzive e Gazetës Sinjali, kryetari i Sindikatës së Policisë nuk dëshiron të flas për këtë çështje.
Në këtë formë, Sindikata e Policisë me mosdistancimin nga dhuna e zyrtarëve policorë, në detyrë zyrtare, brenda stacionit policor dhe ndaj personit me duar të lidhura, po e dëmton kredibilitetin e funksionimit duke ngritur dyshimet për varshmërinë e saj ndaj eprorëve policorë apo rënien pre përballë presioneve të mundshme brenda anëtarësisë.
Kujtojmë se tortura e ushtruar ndaj qytetarit duarlidhur brenda Stacionit Policor të Gjakovës nga komandanti, Kristë Gjoka dhe pesë vartësit e tij, të dyshuar për përfshirje në këtë rast kapiteni Bekim Preqi, Milot Ukaj Gëzim Biblekaj, Shaban Limanaj dhe Agron Idrizi është dënuar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe Institucioni i Avokatit të Popullit dhe opinioni publik i cili ka mbetur i shokuar nga ajo çfarë ka parë.
Përkundër këtij skandali policor, pas masës një mujore të suspendimit, dhunuesit policorë, janë kthyer ne vendet e tyre të punës dhe po vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre zyrtare me uniformat e Shtetit të Kosovës në Stacionin Policor të Gjakovës.
Në anën tjetër, shteti dhe qytetarët e Republikës së Kosovës turpërohen nga aktet e tilla dhe nga moveprimi efikas i organeve të rendit dhe të drejtësisë. /Gazeta Sinjali/