“Paqja në veri të Kosovës po kërcënohet nga Albin Kurti, i cili me çdo kusht dëshiron t’i mbajë serbët peng, të poshtëruar dhe të privuar nga të drejtat e tyre“.
Kështu është shprehur zëvendëskryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili ka theksuar se kryeministri Kurti, “me veprimet e tij, sillet si një i poshtër dhe kriminel që nuk respekton asnjë ligj, marrëveshje apo të drejtë të popullit serb”.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar “që ta pengojë Kurtin ta kthejë Ballkanin Perëndimor në fuçi baruti”.
“Serbët, shqiptarët, boshnjakët, goranët… të gjithë qytetarët e ndershëm duan paqe, prosperitet dhe të ardhme, kurse Kurti dëshiron destabilizimin, konfliktet dhe kaosin”.
Serbët në Kosovë, tha ai, “kurrë s’i kanë duruar tiranët, e nuk do ta durojnë as tani, dhe Kurtit do t’i përgjigjen ashtu siç e meriton”.
Ky reagimi i Simiqit vjen në ditën kur në pjesën veriore, serbët kanë barrikaduar rrugët që çojnë nëpër pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.
Ky reagim i tyre vjen pasi Policia e Kosovës sot ndaloi në Pikën Kufitare në Jarinje ish-zyrtarin policor, ish-pjesëtarin e MUP-it serb, Dejan Pantiq, i cili, sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës.
I ndaluari, thotë Sveçla, sipas dëshmive të Policisë së Kosovës, “ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.
“Pantiqi akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, deklaroi Sveçla.