Dragani nga Mitrovica e Veriut, një komunë me shumicë serbe që gjendet në veri të Kosovës, thotë se nuk guxon të shprehë publikisht mendimin e tij për përdorimin dhe promovimin e simbolit ‘Z’ në qytetin e tij.
Në Rusi, shkronja ‘Z’ përdoret si simbol i pushtimit ushtarak në Ukrainë, vizatohet ose ngjitet në makina civile dhe bilborde, e disa të tjerë e kanë stampuar edhe në bluzat e tyre.
“Unë nuk e di as si do ta ketë emrin Zelensky pasi ata hoqën shkronjën ‘Z’”, thotë Dragani për Radion Evropa e Lirë.
Në Mitrovicën e Veriut në mbrëmjen e 3 prillit, një grup qytetarësh festuan fitoren e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit, duke vendosur simbolin ‘Z’ në makinat e tyre, e duke valëvitur flamuj partiak dhe atë rus.
Festa e mbështetësve të Vuçiqit në Mitrovicë të Veriut më 3 prill.
Edhe në javët e kaluara, simboli ‘Z’ ishte parë i vizatuar në muret e disa ndërtesave në Mitrovicë të Veriut.
Jovani, banor i Mitrovicës së Veriut, beson se simboli ‘Z’ vizatohet pa vetëdije nga të rinjtë dhe sipas tij, askush nuk i përkrah veprimet e tilla.
“Të rinjtë po i bëjnë këto. Ata nuk janë të vetëdijshëm për simbolet dhe ngjarjet e luftës dhe tmerret që aktualisht po ndodhin në Ukrainë”, thotë Jovani.
Simboli ‘Z’ shihet në muret e disa ndërtesave në Mitrovicë të Veriut më 6 prill 2022.
Në fund të marsit, Ukraina u ka bërë thirrje shteteve që të dënojnë penalisht përdorimin e simbolit ‘Z’, i cili konsiderohet si mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Fillimisht e përdorur në tanket ruse që kanë hyrë në Ukrainë, shkronja ‘Z’ besohet se ka kuptimin “za pobedu” (për fitore) – dhe ky simbol shumë shpejt nisi të përdorej nga rusët si shenjë mbështetjeje për pushtimin e Ukrainës.
Tri lande gjermane, Berlini, Bavaria dhe Saksonia e Ulët – tashmë kanë thënë se kushdo që përdor simbolin për të promovuar luftën, mund të dënohet me deri tre vjet burgim.
Ministria e Brendshme gjermane ka paralajmëruar se ata që e prezantojnë simbolin për të “mbështetur” pushtimin “mund të ndiqen penalisht”.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dimitry Kuleba, u ka bërë thirrje dhe vendeve tjera që të ndjekin shembullin e Gjermanisë.
I call on all states to criminalize the use of the ‘Z’ symbol as a way to publicly support Russia’s war of aggression against Ukraine. ’Z’ means Russian war crimes, bombed out cities, thousands of murdered Ukrainians. Public support of this barbarism must be forbidden.
— Dmytro Kuleba (@DmytroKuleba) March 29, 2022
“’Z’ nënkupton krimet ruse të luftës, bombardim të qyteteve, mijëra ukrainas të vrarë”, ka thënë Kuleba në një postim në Twitter.
“Duhet të ndalohet mbështetja publike e këtij barbarizmi”.
Cili është qëndrimi i Kosovës?
Qëndrimi zyrtar i Kosovës është dënimi i pushimit rus të Ukrainës. Prishtina zyrtare ka vendosur sanksione ndaj Moskës, në përputhje me sanksionet e shteteve perëndimore.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë udhëzime se si të veprojnë kur simboli ‘Z’ promovohet publikisht.
“Për mua është e panjohur sa i përket shkrimit [të simbolit ‘Z’], pos nëse nuk merret tani ndonjë vendim për këtë”, thotë Radoviq.
Si reaguan Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut?
Që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, shkronja ‘Z’ ka qenë një simbol mjaft i pranishëm në Rusi, në mbështetje të luftës, ushtrisë, politikës së Kremlinit dhe mbi të gjitha presidentit Vladimir Putin.
Në shtetet e rajonit, simboli ‘Z’ deri më tani është përdorur në Serbi në protestat pro-ruse në Beograd dhe fotografitë e kësaj proteste janë publikuar edhe në rrjetet sociale. Ky simbol është parë edhe në tubimet e organizuara nga grupet e ekstremit të djathtë në Serbi në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës.
Serbia e ka dënuar agresionin kundër Ukrainës, duke thënë se mbështet integritetin territorial të Kievit, po ka refuzuar që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ashtu siç kanë kërkuar shtetet perëndimore.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit, njoftuan më 6 prill se qytetarët e këtij shtetit, mediat dhe subjektet e tjera që mbështesin të dyshuarit për krime lufte kundër civilëve në Ukrainë, mund të dënohen deri në pesë vjet burg.
“Miratimi ose justifikimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit apo krimeve të luftës paraqet krim sipas nenit 407 të Kodit Penal”, u tha në njoftim.
Maqedonia e Veriut po ashtu i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë.
Ndërkaq, Mali i Zi ende nuk e ka miratuar vendimin për zbatimin e sanksioneve të vendosura kundër Rusisë.
Bosnja e Hercegovina, që prej nisjes së krizës në Ukrainë, nuk ka pasur një qëndrim të përbashkët për luftën në këtë shtet dhe për sanksionet kundër Rusisë.
Përdorimi i simboli ‘Z’ në Rusi
Fotografitë e simbolit ‘Z’ po ashtu janë publikuar edhe në njoftimet e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë në rrjetet sociale me përshkrimet “Për paqe”, “Për drejtësi” dhe “DemilitariZim”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar pushtimin e Ukrainës si “operacion të posaçëm ushtarak”. Disa i referohen si “Operacioni Z”, bazuar në shkronjën ‘Z’ të vendosur në tanket ruse dhe në makinat e tjera ushtarake.
Një ushtar ukrainas qëndron në një makinë ushtarake ruse që ka të vizuar simbolin ‘Z’. Harkiv, 29 mars 2022.
Po ashtu besohet se simboli ‘Z’ shërben edhe për të dalluar makinat ruse nga ato ukrainase, me qëllim që trupat ruse të mos rrezikojnë që të sulmojnë ushtarët e vetë.
Ndërkaq, në fund të marsit Ambasada e Ukrainës në Beograd tha se simboli ‘Z’ për ukrainasit do të thoshte ‘Vrisni ukrainas’. Kjo ambasadë u bëri thirrje autoriteteve në Serbi që të largojnë këtë simbol nga muret e ndërtesave dhe makinat.
Më herët, Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës nisi procedurat disiplinore ndaj gjimnastit, Ivan Kuliak, i cili gjatë ceremonisë së ndarjeve të medaljeve në Kupën e Botës që u mbajt në Doha të Katarit, mbajti një qafore me simbolin ‘Z’.
‘Z’, si simbol i pushtimit
Eksperti i sigurisë, Kadri Kastrati, thotë se për të është shumë e çuditshme që dikush në shekullin 21 të mbështetë “një ushtri që nuk kursen as fëmijë e as gra”.
Fotografitë e civilëve të vrarë në Buça të Ukrainës, qytet afër Kievit – të cilin forcat ruse e pushtuan në fillim të marsit dhe u tërhoqën që aty më 1 prill – janë publikuar ditëve të fundit, duke shkaktuar dënim ndërkombëtar, përfshirë edhe akuza për gjenocid dhe krime lufte.
Kastrati thotë se nuk çuditet që simboli ‘Z’ është shfaqur në veri të Kosovës, sepse sipas tij, popullata serbe që jeton atje, drejtohet nga Beogradi zyrtar, i cili “ulet në dy karrige”, një term që përdoret për të përshkruar balancën e politikës që Qeveria në Serbi ka insistuar që ta mbajë në dekadën e fundit.
Ai kujton se institucionet e Kosovës kanë deklaruar publikisht qëndrimin e tyre kundër agresionit rus në Ukrainë dhe beson se pjesëtarët e komunitetit serb duhet të respektojnë një vendim të tillë, pavarësisht se Beogradi ka raporte të mira me Moskën.
Ai thotë se ‘Z’ është simbol i ushtrisë ruse që “pushtoi një vend të pavarur” dhe si i tillë nuk duhet të promovohet.
Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, udhëheqja e Kosovës ka paralajmëruar se Serbia mund të tentojë të destabilizojë Kosovën dhe për këtë arsye po kërkon që urgjentisht të anëtarësohet në NATO. Në fillim të marsit, Qeveria e Kosovës vendosi që të themelonte një grup punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-atlantike.
Mirëpo, Kastrati beson se nuk do të ketë destabilizim të vendit dhe se institucionet e sigurisë së Kosovës mund t’i kundërvihen çdo veprimi në këtë drejtim.
“Kosova është e sigurt nga brenda, ka Policinë, KFOR-in [misionin ushtarak të NATO-s], EULEX-in. Por, për mua nuk është e habitshme që banorët në veri [që po e përdorin simbolin ‘Z’], sepse në njëfarë mënyre ata janë të stimuluar nga Beogradi. Beogradi e mbështet Rusinë dhe mendoj se serbët në Kosovë dhe Kosova në përgjithësi e ka vendin në Evropë dhe jo në Lindje”, thotë ai.
Ai thekson se Kosova publikisht doli me qëndrimin për të dënuar pushtimin ushtarak të Ukrainës dhe për këtë temë ajo është rreshtuar në anën e shteteve të tjera perëndimore.