Gazeta Sinjali ka raportuar mbrëmë për një aksident në fshatin Duhël të Suharekës, ku ishin përfshirë tri vetura dhe njëri nga shoferët, fatkeqësisht, ka ndërruar jetë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur afër një pompe të benzinës dhe deri te aksidenti kishte ardhur për shkak të shpejtësisë së madhe të njërës veturë të tipit “Mini Cooper”, e cila më pas kishte goditur dy vetura tjera – “Mercedes” dhe “Golf 5”.
Nga përplasja e fortë, shoferi i “Mercedesit” ka dalë nga vetura dhe më pas është dërguar pa shenja jete në spital, ndërsa dy shoferët tjerë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Sipas të njëjtave burime, shoferi i veturës që e ka shkaktuar aksidentin është ende duke u trajtuar në spital, por ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Tashmë, trupi i pajetë i shoferit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.